Qeveria miraton projektligjin për Sigurinë Kibernetike

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për Sigurinë Kibernetike.

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, në mbledhjen e qeverisë ka njoftuar se ditëve të fundit janë ballafaquar me sulm kibernetik.

Sipas tij përmes këtij ligji do të krijohet baza ligjore për parandalimin e krimit kibernetik.

“Përmes këtij ligji do të krijohet baza ligjore për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik rrjedhimisht synohet ti krijojmë kushtet ligjore përmes të cilave do të mbrohet sistemi informacionit, përdoruesit e sistemit dhe personave që mund të preken nga incidentet kibernetike për të ofruar kështu siguri kibernetike në RKS” – tha Sveçla.

Rregullimi i fushës kibernetike sipas ministrit ndërlidhet edhe me programin e qeverisë.

Kosova por edhe vendet e tjera të Ballkanit, ditëve të fundit kanë qenë cak i sulmeve kibernetike.

Ky ligj pritet ta forcojë sigurinë kompjuterike në vend, pasi përpos shtimit të veprave penale të cilat kryhen me kompjuter dhe ashpërsimit të tyre ka paraparë edhe themelimin e Autoritetit Shtetëror për Siguri Kibernetike si dhe masa të shumta, duke përfshirë edhe themelimin e një pike kontakti në Policinë e Kosovës e cila do të jetë e angazhuar për 24 orë gjatë 7 ditëve të javës.

Dënime të ashpra, parasheh projektligji për sigurinë kibernetike