Komisioni për Buxhet propozon që fitimi i institucioneve mirkofinanciare t’i kthehet shtetit

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka propozuar që fitimi prej 30 milionë euro i institucioneve Mikrofinanciare dhe Insitucioneve Financiare Jobankare t’i kthehen shtetit si dhe këto institucionet të tatimojnë fitimin e akumuluar për 20 vjet në mënyrë retroaktive. Këto propozime kanë ardhur pas një dëgjimi publik lidhur me Projektligjin për Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare të hënën në Komisionin për Buxhet dhe Financa.

Anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa kanë shprehur shqetësimet e tyre se si këto institucione të regjistruara si OJQ, kanë përfituar kapital ndërsa nuk kanë paguar tatim për shtetin.

Nënkryetarja e Komisionit, Safete Hadërgjonaj, tha se nuk mund ta pajtohet që këto institucione mikrofinanciare të regjistruara si OJQ të mos paguajnë tatim ndërsa OJQ-të e tjera t’i nënshtrohen ligjeve të Kosovë.

“ Kjo duhet të zgjidhet tani. Të mendojmë për interes të përgjithshëm dhe në favor të shtetit dhe jo në favor të grupeve individuale. Ajo që më ka bërë përshtypje është se si deri në vitin 2012 asnjë OJQ nuk ka reaguar për OJQ-të financiare që po krijojnë kapital dhe nuk po i paguajnë shtetit asgjë”, tha Hadërgjonaj.

E anëtarja e komisionit nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se institucionet mikrofinanciare në Kosovë kanë devijuar prej misionit të tyre që kanë pas qëllim tu ndihmojnë grupeve të margjinalizuara.

“Këto institucione kanë devijuar prej misionit të tyre prej ditës së parë dhe tash kemi një rast sui generis. Misioni i tyre ka qenë tu ndihmojnë grupeve të margjinalizuara që nuk janë të afta të marrin kredi bankare ndërsa ata vetëm kanë përfituar. Sa kam unë informata norma e interesit ka qenë deri në 28 për qind ndërsa nuk kanë pagur tatim për shtetin”, tha Bajrami.

Ndërsa Taulant Hoxha, nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile tha se paratë e fituara nga këto institucione mikrofinanciare nuk guxojnë të shkojnë në xhep të askujt . Ai propozoi që këto institucionet mikrofinanciare të mos ndërlidhen me projektligjin për OJQ.

“Mendoj që kjo çështje të mos ndërlidhet me Projektligjin për OJQ-në, sepse flet në përgjithësi, nuk mundemi që me një ligj që trajton sektorin në përgjithësi të zgjidhim një çështje që është një nga mijëra fushat e OJQ-së”, tha Hoxha.