Pamje nga selia e Komisionit Evropian në Bruksel - Foto: REL/Reuters

Komisioni Evropian: Kosova nuk lejon zgjedhjet e Serbisë në territorin e saj, serbët përsëri do votojnë në Serbi

Në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Serbi të caktuara për më 17 dhjetor 2023, qytetarët serbë të Kosovës do të udhëtojnë në jug të Serbisë për të hedhur votën e tyre, pasi votimi në Kosovë nuk lejohet përsëri nga autoritetet kosovare.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian për politikën e jashtme dhe sigurinë, Peter Stano, dha lajmin për KALLXO.com, duke shprehur “keqardhje” e tij për këtë zhvillim.

Një javë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte dërguar një letër misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ku kishte kërkuar një marrëveshje të veçantë me Serbinë për të lejuar qytetarët serbë në Kosovë, të cilët kanë shtetësi të dyfishtë, të votojnë në territorin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare serbe. 

Komisioni Evropian thotë për KALLXO.com se refuzimi nga qeveria e Kosovës do të kërkojë që votuesit serbë të udhëtojnë në qytetet e Serbisë jugore për të marrë pjesë në këto zgjedhje.

Sipas Stanos, Komisioni Evropian konsideron që ky vendim nuk është në përputhje me frymën e dialogut, parimin e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe ndërtimin e besimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

BE-ja ka rekomanduar rifillimin e praktikës së vendosur për të lejuar serbët e Kosovës të votojnë në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare serbe të 17 dhjetorit, me lehtësimin e OSBE-së. 

“Presim që Kosova dhe Serbia të bien dakord për modalitetet për të mundësuar këtë, në mirëbesim dhe frymën e kompromisit”- tha Stano, duke shtuar që BE-ja mbështet të gjitha përpjekjet që synojnë t’u mundësojnë serbëve të Kosovës të marrin pjesë në proceset demokratike. 

Sipas tij, është thelbësore që votuesit serbë me të drejtë vote që banojnë në Kosovë të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore dhe të hedhin votën e tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare serbe.

OSBE në një përgjigjje për KALLXO.com, tha që në parim Misioni mbetet i gatshëm që të mbështesë mbledhjen e votave, por vetëm me të njëjtat kushte si në rastet e mëparshme.

“Me fjalë të tjera vetëm nëse sigurohet një ambient konsensual, nëse kemi bashkëpunim nga të gjitha autoritetet relevante në Kosovë dhe nëse garantohet mbështetje e nevojshme e sigurisë nga Policia e Kosovës, si reaguese e parë”- thanë nga OSBE, duke shtuar që OSBE e ka njoftuar qeverinë serbe me përgjigjen e kryeministrit Kurti.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë për këtë çështje, por të njëjtat nuk kanë kthyer përgjigjje deri në publikimin e këtij artikulli.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë disa herë se Kosova nuk dëshiron t’ua pamundësojë të drejtën e votës qytetarëve serbë të Kosovës, por që nuk mund të veprohet në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit.

Në marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve të arritur në shkurt në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë e që një muaj me vonë të dy shtetet u pajtuan edhe për Aneksin e zbatimit të saj thuhet që: “Të dyja palët do të udhëzohen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin”.

Në janar 2022, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, përmes së cilës u kundërshtua mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese. Vendet e QUINT-it, Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Gjermanisë, Italisë dhe Francës dhe Bashkimi Evropian, e patën pritur me keqardhje miratimin e rezolutës. Ata i kishin bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve

Që nga viti 2017 deri në vitin 2022, serbët në Kosovë kanë marrë pjesë në zgjedhjet serbe dhe votat janë grumbulluar nga OSBE-ja. Votat janë numëruar në dy qytetet e Serbisë, Rashkë dhe Vranjë.

Por, që nga viti 2022, kjo praktikë nuk ekziston më pasiqë pushteti aktual në Kosovë kishte kërkuar që Serbia duhet t’i bëjë bëjë kërkesë direkte Kosovës në mënyrë që të mbahen zgjedhjet në territorin e saj. Si pasojë, serbët e Kosovës për herë të parë ishin organizuar me autobusë për të votuar në Serbi.