Foto: KALLXO.com

Komenti i Qemajl Mustafës për rezultatin e rundit të parë zgjedhor në Gjilan

Ish-kryetari i Komunës së Gjilanit nga PDK-ja, Qemajl Mustafa, ka komentuar rezultatin zgjedhor të rundit të parë më 17 tetor, ku i pari me vota është renditur kandidatit i LVV-së Alban Hyseni dhe i dyti Lutfi Haziri nga LDK.

Ai thotë se meqenëse PDK-ja në Gjilan nuk mundi ta rimëkëmbë veten, i është dhënë mundësia LVV-së. 

“Meqenëse PDK-ja nuk ishte e zonja me e rimëkëmbë vetveten dhe me e forcu, del dikush tjetër gjithmonë. I sigurt jam se Albin Kurti nuk i mori me meritën dhe punën e tij ato 50 e kusur të votave në zgjedhjet nacionale, por i mori për shkak se njerëzit filluan me u zhgënjy tek ne, kushtimisht po i quaj partitë e moçme, partitë e vjetra të cilat kishim qeverisur më gjatë. Kështu ka ndodhë edhe në Gjilan”, tha ai.

Mustafa shtoi se kandidati i LVV në Gjilan doli i pari në zgjedhje më 17 tetor pasi sipas tij kjo parti në Gjilan është bastion. 

“Ky kandidat [Alban Hyseni] është i fortë, e preferojnë zgjedhësit e Vetëvendosjes. Unë kualitetet e këtij djali nuk ia kam njoftë, përderisa nuk filluan debatet dhe paraqitjet publike në fushatë. Dhe për fatin e tij të mirë, së paku unë e mendoj kështu i ka pas 3-5 debate televizive qysh në fillim të fushatës që do të thotë publiku arriti 30 ditë përpara se me shku tek kutia e votimeve me e njoftë këtë djalë”, tha ai.

Sipas Mustafës disa media të caktuara me fushatën e tyre i kanë ndihmuar kandidatit të LDK-së, Lutfi Hazirit, në rezultatin zgjedhor të 17 tetorit. 

Në emisionin “Debat Përnime” sonte po transmetohen intervistat me ish-kryetarin e Gjilanit nga PDK-ja, Qemajl Mustafën dhe ish-nënkryetarin e kësaj Komune, Rexhep Kadriun.

Dy ish-figurat udhëheqëse politike në këtë komunë flasin për garën e balotazhit që do të mbahet në Gjilan më 14 nëntor.

Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni do të përballet në balotazh me kundërkandidatin e tij, kryetarin aktual të Gjilanit, Lutfi Hazirin nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve në Gjilan, kandidati i LVV-së, Alban Hyseni ka siguruar 44,71 për qind te votave, kurse kandidati Lutfi Haziri nga LDK ka marrë 43,51 për qind.