Vjosa Osmani në kazermën e FSK-së në Istog. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Komandantja Supreme e FSK-së komenton blerjen e raketave Javelin nga SHBA

Kosova do të blejë 246 raketa Javelin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kostoja e të cilave vlerësohet të jetë 75 milionë dollarë.

Kjo është përshëndetur nga vet Komandantja Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovë, Presidentja Vjosa Osmani.

Ajo përmes një deklarate për media, pas aprovimit të Departamentit Amerikan të Shtetit të kërkesës së Kosovës për blerjen e sistemeve mbrojtëse të armëve Javelin, ka thënë se Republika e Kosovës po hyn në një fazë të re dhe vendimtare të fuqizimit të kapaciteteve shtetërore të mbrojtjes.

Presidentja tha se kjo përfshinë zhvillimin e FSK-së konform standardeve të NATO-s dhe thellimin e marrëdhënieve me partnerin strategjik të vendit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Si Presidente e Republikës dhe Komandante Supreme e FSK-së shprehë mirënjohjen time për institucionet tona të mbrojtjes të cilat për vite me radhë punuan për përmbushjen e kritereve për kualifikim në Programin e Shitjeve Ushtarake të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve”– tha Osmani.

Ajo tutje tha se shpreh falënderim të veçantë për Sekretarin e Amerikan të Shtetit, Antony Blinken me të cilin tha se kanë diskutuar mbi miratimin e programit të Shitjeve Ushtarake të Huaja (FMS) në korrik 2022, për Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-së dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili Osmani tha se tashmë është njoftuar zyrtarisht për synimin e Kosovës për të blerë sisteme mbrojtëse armësh përmes programit FMS.

Osmani përmendi edhe një pjesë të deklaratës së Qeverisë amerikane, ku thuhet se kjo shitje e propozuar do t’i mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian që është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë.

Presidentja tha se ka besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje të mundshme për vendin, sipas saj, më proamerikan në botë, si një akt i cili do ta rrisë sigurinë në Kosovë, në rajon si dhe në kontinentin evropian.

Agjencia e Bashkëpunimit të Sigurisë dhe Mbrojtjes (DSCA) në Uashington ka njoftuar se Kosova ka kërkuar që të blejnë 246 raketa Javelin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kostoja e të cilave vlerësohet të jetë 75 milionë dollarë.

Në një njoftim të DSCA-së është thënë se dje kanë dorëzuar certifikatën e kërkuar duke njoftuar Kongresin për këtë shitje të mundshme.

“Republika e Kosovës ka kërkuar të blejë 246 raketa Javelin FGM-148F, duke përfshirë 6 raketa fluturuese dhe 24 Njësi lëshimi të Komandës së Lehtë Javelin”– u tha në këtë njoftim për media.

Tutje u tha se në këtë çmim përfshihen edhe disa pajisje të tjera që ndërlidhen me përdorimin e raketave Javelin.

Edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar se Kosova i ka nisur kërkesë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të blerë sistemin raketor antitank “Javelin”.

Ai në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se Ministria e Mbrojtjes e mbështetë Forcën e Sigurisë së Kosovës në ngritjen e kapaciteteve për mbrojtjen e territorit.

“Për sistemin ‘Javelin’ është dërguar kërkesa dhe e njëjta është pranuar nga SHBA”– tha Maqedonci.

Por, cilat janë karakteristikat e raketave “Javelin”?

Këto raketa u prodhuan dhe zhvilluan për ushtrinë amerikane dhe trupat detare të saj.

Ky mjet luftarak doli shumë efikas në luftën e Ukrainës kundër agresionit rus.

Këto armë janë të prodhuara nga dy kompanitë, Lockheed Martin dhe Raytheon Technologies.

Sipas të dhënave që janë të publikuara në faqen zyrtare të kompanisë Lockheed Martin, “Javelin” është një sistem armësh precize antitank, të lëvizshme dhe të vendosur në platformë.

Pra, raketa në fjalë mund të përdoret edhe nga një ushtar i vetëm duke e mbajtur atë mbi supe për të qëlluar nga lart apo drejtpërdrejt objektivin, por edhe mund të vendoset mbi automjetet ushtarake.

Një raketë e tillë vlerësohet se mposht të gjitha forcat e blinduara të njohura dhe të projektuara, si dhe objektiva të buta dhe të parregullta.

“Javelin”, sipas kompanisë, përdor teknologjinë “fire-and-forget” duke drejtuar veten drejt objektivit pa komanda të jashtme ose përcaktimin e objektivit.

Kompanitë që prodhojnë këtë lloj arme thonë se një aftësi e tillë siguron mbijetesë superiore për operatorët, pra ushtarët që përdorin armë të tillë, të cilët pas gjuajtjes që mund të zhvendosen menjëherë në vende të sigurta, e nuk mbesin të ekspozuar.

Ky veprim vlerësohet se i mundëson operatorit të angazhojë menjëherë objektiva shtesë. Kjo teknologji gjithashtu mundëson lehtësinë e përdorimit dhe trajnimit.

Të dhënat e kompanive prodhuese tregojnë se edhe pas mbi 20 vitesh performancë, “Javelin” është në shërbim të ushtrisë amerikane dhe 19 vendeve të tjera aleate.

Po ashtu tregohet se janë të prodhuara më shumë se 45 mijë raketa të tilla, e se sistemi “Javelin” parashikohet të jetë në inventarin operacional të ushtrisë amerikane deri në vitin 2050.

Në gusht të vitit të kaluar, kompanitë prodhuese në një njoftim publik kishin treguar se gjatë 2022-ës popullariteti i sistemit të armëve “Javelin” është rritur.

Kompanitë kishin thënë se janë duke punuar për gati dyfishimin e prodhimit.

Në njoftim ishte thënë se kompanitë prodhojnë 2,100 “Javelin” në vit, e prodhimi pritet të rritet në 3,960 në vit deri në vitin 2026.