Kollqaku: U vendos reciprocitet i plotë me Serbinë për targat e automjeteve

Fatmire Kollqaku, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se më 30 shtator 2021 në Bruksel u bë marrëveshja përmes së cilës Kosova arriti përfundimisht të vendos reciprocitetin në raport me Serbinë.

Kollqaku tha se që nga dita e djeshme, nuk ka barrikada në rrugët e Kosovës.

“Njësia speciale e policisë së Kosovës pas 12 ditë angazhim të shkëlqyer në mbrojtjen e vendkalimeve kufitare dhe stafit doganor e policor, mund t’i përkushtohet detyrave tjera. Veturat që hyjnë nga Serbia do të trajtohen në bazë të reciprocitetit të plotë duke u vendos afishe ngjitëse që mbulojnë elemente shtetërore të vendit që nuk e njohin”, tha ajo.

Kollaqku ka bërë krahasime mes qeverisë aktuale dhe asaj të ish liderit të LDK-së Isa Mustafa për këtë marrëveshje.

“Për herë të parë veturat me targa të lëshuara në Serbi me shkurtesa të qyteteve të Kosovës, do të trajtohen si targa të një shteti që nuk e njohim dhe do të detyrohen të pajisen me afishe ngjitëse. Sa për rikujtim në kohën e qeverisë Mustafa, duke e përjashtuar këto targa në marrëveshjen për afishet të nënshkruar me 27 tetor të vitit 2015, kishte pranuar t’i legalizoj ato dhe t’i trajtoj si targa të rregullta të Kosovës”, tha ajo duke shtuar se me marrëveshjen e 30 shtatorit kjo më nuk do të ndodh.