FOTO: KALLXO.com.

Anëtarët e PSD-së e gjuajnë kryeministrin Albin Kurti me qershi

Anëtarë të PSD-së kanë mbajtur një aktivitet te ndërtesa e ministrive në shenjë proteste ndaj marrëveshjes për targat, e arritur mbrëmë mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel.

Në momentin që aty ka ardhur kryeministri Albin Kurti, anëtarët e PSD-së kanë hedhur gota me qershi në drejtim të tij.

Mbrojtja e kryeministrit ka reaguar duke e mbrojtur nga gjuajtjet me qershi dhe duke i larguar protestuesit.

Në këtë moment protestuesit kanë thirrur: “Mshefu!”, “Mshefu!”.

Pas këtij aksioni, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj tha para gazetarëve se hyrja fshehtas e kryeministrit, siç tha ai, nga skutat, tregon për marrëveshjet e dëmshme që po i sjell ai.

“Fakti që kryeministri tenton me hy fshehtas në një takim me qytetarët, me polici të Kosovës tregon më së miri se çfarë marrëveshje ka ba, sa të dëmshme janë ato dhe në çfarë gjendje ka përfunduar kjo Qeveri.  Aksionet tona nuk do të ndalen vetëm sa do të rriten sepse marrëveshjet që po i sjellin ata janë të dëmshme, e ne jemi për marrëveshje që e zgjidhin problemin e Kosovës, prandaj asgjë më shumë sesa sjellja qyqare e një frikacaku si ky kryeministër nuk tregon për dëmet që ia ka ba Kosovës mbrëmë” – tha Molliqaj.

Protesta është mbajtur pak para fillimit të tubimit të thirrur nga kryeministri Kurti me qytetarët për prezantimin e buxhetit për vitin 2023.