Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KMDLNj kërkon të falen gjobat e bizneseve dhe qytetarëve të dënuar në pandemi

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar që të falen bizneset e qytetarët që janë dënuar në kohë të pandemisë.

KMDLNj ka thënë se Policia e Kosovës ka shqiptuar shumë dënime për mosrespektim të masave, ndërsa Inspektorati ka dënuar shumë biznese për mosrespektim të masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës përkatësisht nga Ministria e Shëndetësisë.

“KMDLNj, që nga fillimi ka përkrahur masat kufizuese të vendosura nga Qeveria e Kosovës, ndonëse ishin kundër të drejtave të njeriut mirëpo, midis të drejtës për jetë dhe të drejtës për lëvizje të lirë, KMDLNj ishte dhe përcaktohet për mbrojtje të shëndetit dhe të jetës. Në të njëjtën kohë KMDLNj pati kërkuar nga Qeveritë e Kosovës të marrin masa për të ndihmuar qytetarët që kanë mbetur pa punë apo që e kanë gjendjen e rëndë ekonomike”, thuhet në komunikatë.

KMDLNj, ka thënë se gjatë kësaj kohe më së shumti e kanë pësuar bizneset, një numër i madh i tyre ka falimentuar kurse të tjerat me orar të reduktuar për shkak të kufizimeve të shumta kanë punuar dhe punojnë me humbje të cilat nuk subvencionohen nga qeveria Kurti e as që janë subvencionuar nga qeveritë e mëparshme në atë masë që të mos punojnë me humbje dhe të mos detyrohen të mbyllin bizneset.

“Me lehtësimin e masave janë krijuar kushtet që bizneset, jo të fitojnë apo të stabilizohen por vetëm të mbijetojnë duke shpresuar për një përkrahje nga qeveritë për të rimëkëmbur bizneset e tyre.  Janë ndarë mjete të konsiderueshme për rimëkëmbje ekonomike por se nga këto mjete kanë përfituat kryesisht bizneset e fuqishme që , realisht as që kanë pasur nevojë për përkrahje”, thuhet në komunikatë.

KMDLNj, në komunikatë, kanë thënë se e kanë monitoruar respektimin e masave dhe sipas tyre ka pasur raste kur ato nuk janë respektuar nga bizneset.

Përkundër kësaj KMDLNj, ka kërkuar dhe kërkon mirëkuptim, për shkak të gjendjes shumë të rëndë në të cilën janë bizneset.

“T’ua falin këto dënime, të mos ekzekutohen dënimet e shqiptuara për faktin se bizneset e kanë pësuar pikërisht për shkak të masave kufizuese dhe mungesës së duhur të përkrahjes për rimëkëmbje nga qeveritë e Kosovës”, thuhet tutje.

KMDLNj, kërkon që edhe dënimet që iu janë shqiptuar qytetarëve, të falen shkaku se ishte një gjendje thuaja e jashtëzakonshme.