PSD-ja prezanton projektligjin për falje të gjobave gjatë pandemisë

Sekretari i Partisë Social Demokrate (PSD), Nol Nushi, sot në Komisionin për Shëndetësi ka prezantuar Projektligjin për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.

Ky projektligj është dorëzuar në Kuvend në qershor të vitit 2021, si nismë legjislative pas mbledhjes së më shumë së 11 mijë nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës.

Nushi sot në komision ka kritikuar Kuvendin për vonesën e procedurave në të cilat ka kaluar projektligji.

Nushi ka thënë se më këtë projektligj përjashtohen nga falja bizneset e mëdha pasi ata kanë pasur mundësi të paguajnë gjobat.

Nga falja përjashtohen edhe partitë politike.

“Në këtë projektligj përjashtohen bizneset e mëdha. Përjashtohen nga falja edhe partitë politike” – ka thënë ai.

Ai tutje ka treguar numrin e gjobave të shqiptuara nga Policia bazuar në Ligjin për pandeminë.

“Sot kam marrë nga policia të dhënat që në emer të këtij ligji janë shqiptuar 329 mijë gjoba” – ka thënë Nushi.

Deputeti i  PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se ardhja e projektligjit më kaq vonesë në Kuvend, përben shkelje ligjore.

“Askush nuk ka pasur të drejtë një iniciativë qytetare të prolongohet kaq gjatë. Të gjitha këto procedura të caktuara në ligjin për nisma legjislative dhe rregullorja e kuvendit janë shkelur” – ka thënë ai.

Ndërsa sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Burim Meta, falja e borxheve është padrejtësi për ata që i kanë respektuar masat anti-COVID.

“Mua së paku po më bëhet e padrejtë sepse kam respektuar masat. Ka pasur edhe deputetë dhe politikanë që janë dënuar” – ka thënë ai.

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale është duke e shqyrtuar në parim projektligjin për faljen e gjobave të shqiptuara gjatë pandemisë.

Aktivistë të PSD-së, në qershor të vitit 2021 dorëzuan peticionin e nënshkruar nga 11.286 qytetarë për të iniciuar projektligjin për faljen e gjobave të dhëna gjatë pandemisë COVID-19.

Në një njoftim të kësaj partie thuhet se, dënimi i mbi 200 mijë qytetarëve ka qenë i padrejtë në shumë rrafshe, si atë ekonomik, por edhe shëndetësor ku nuk u siguruan vaksina.

Sipas tyre, qytetarët nga kjo qeveri kanë marrë vetëm dënime.