Kllokoqi: Kërkuam ndryshime ligjore për çmimin e energjisë solare

Arben Kllokoqi, përfaqësues i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë, tha se kanë kërkuar që të bëhen ndryshime ligjore në lidhje me caktimin e çmimit për energji solare.

“Gjatë mandatit të minstrit të Zhvillimit Ekonomik që ishte Valdrin Lluka, ne kemi kërkuar që të bëhen ndryshime në kornizat ligjore, të cilat mundësojnë që çdo investim i ri në energji të ripërtërishme, çmimi mos të caktohet në mënyrë administrative, por sipas parimeve të tregut, në një formë të ankandit”, tha Kllokoqi në Emisionin “Jeta në Kosovë”.

Ai tregoi edhe dallimin në mes modeleve të ankandit dhe formës administrative.

“Rëndësi e ankandit është se nëse e shikon konsultimin publik të ZRrE-ë, ata shumë mirë i referohen zhvillimeve të fundit në botë, ku teknologjia e energjisë ripërtërishme çmimi po bjen vazhdimisht dhe çmimi i energjisë nga burimet e ripërtërishme është gjithnjë edhe më  i lirë”, ka deklaruar Kllokoqi.

“Por esenca, pse është me lirë sepse për shkak të mekanzimit që po implentohet dhe jo sepse investiorët një ditë thanë hajt se po dojmë ma pak. Mekanizimi që është përdorur deri tash tarifa nxitëse, është një çmim që caktohet adminsitrativisht prej Rregullatorit dhe investitiori cili vjen i pari e merr investimin dhe investon”, ka shtuar ai.

“Nëse shkon me ble një kerr në pazar, momentin që hyn në pazar, kerrin e parë që e sheh e blen. Nuk bën kurrfarë vlerësimi në gjithë pazarin, mos ka ndonjë kerr të mirë, çfarëdo çmimi e bën. Caktohet një çmim administrativ prej Rregulaltorit dhe jo vetëm, por në përgjithësi ne burokratët nuk e dimë se cila është vlera e asaj energjie, ne mund ta mashtrojmë veten se e dimë por ne nuk e dimë, nuk ia qëllojmë”, ka shtuar më tej Kllokoqi.

Jeta në Kosovë ka gjetur se Blerim Devolli, përmes gjashtë bizneseve, do të përfitojë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve nga 30 megavat sa është totali i kapaciteteve të energjisë solare të përkrahura nga shteti.

Dy kompani të Blerim Devollit, “Frigo Food Kosova” dhe “Birra Peja” kanë përfituar tarifa nxitëse prej 136.4 euro për megavat nga vendimi i bordit të ZRrE-së i datës 19 maj 2016. Kurse, me katër biznese të tjera ka përfituar nga vendimi i datës 27 nëntor 2019: “Building Construction Kosove L.L.C”, “Alsi & Co Kosovë”, “Energy Development Group” dhe kompania e katërt është “Devolli Group” të cilës i është ndrru emri në “Abrazen”.