Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Manaj: Procesi i zgjedhjes së komisionerit për informim dhe privatësi shkon në pikën zero

Deputeti nga radhët e LDK-së, Shkëmb Manaj, ka thënë se si shkak i dështimit që të votohet komisioneri për informim dhe privatësi në seancën e muajit gusht, ky proces do shkojë në pikën zero.

“Si shkak i dështimit për votim në seancën e muajit gusht procedura e rekrutimit shkon në pikën zero, nuk ka qenë mirë që është futur atë ditë kjo pikë në rend të ditës. Ka qenë e përshpejtuar dhe e kemi humbur mundësinë”, ka thënë Manaj.

Manaj gjithashtu ka thënë se ky votim është dashur të lihet për sesionin vjeshtor si shkak i mungesës së deputetëve.

“Atë ditë në seancë ka munguar lista serbe dhe mbi 10 deputet të partive tjera, është dashur të lihet për fillim të sesionit vjeshtor ku edhe do mund kishte më shumë bashkëpunim partiak”, shtoi tutje Manaj.

Vlen të theksohet se në procesin e ardhshëm të kësaj përzgjedhje nuk do jenë më partnerët britanikë pasi ata u tërhoqën si shkak i dështimit që ky proces të përfundonte në seancën e 14 gushtit.

Më 14 gusht, asnjë nga tre kandidatët për këtë post nuk ia doli t’i marrë 61 votat e kërkuara, hera e tretë në dy vjet që kuvendi dështoi në emërimin e një Komisioneri, dështim ky të cilin analistët ia atribuojnë interesave të ngushta politike. Ambasada britanike, e cila ka ndihmuar në procesin e rekrutimit, tha se ekspertët britanikë janë tërhequr.