Përfaqësuesi nga kompania angleze e rekrutimit flet për mënyrën si u vlerësuan kandidatët

Gordon Ryan nga Kompania angleze e rekrutimit BDO, që ka mbikëqyrur procesin e rekrutimit të komisionerit për informim dhe privatësi ka folur lidhur me mënyrën si janë vlerësuar kandidatët.

Sipas tij personat zgjidhen në bazë të kompetencave të sjelljes dhe eksperiencës së kaluar.

“Ajo që ne nënkuptojmë më të ‘emërueshëm’ është se një person ka paraqitur fakte të mjaftueshme për kompetencat që ne i masim, e që janë kompetenca të sjelljes bazuar në eksperiencën e kaluar, kurse i ‘pa emërueshëm’ është kur dikush nuk e arrin atë prag”, ka thënë Ryan.

Ryan nuk deshi të flas për motivet që në Kuvendin e Kosovës nuk ka kaluar ndonjë kandidat i përzgjedhur gjatë monitorimit të tyre duke shtuar se gjithçka ka shkuar mirë deri votimin në kuvend.

“Nuk  dua të flas për motivet apo arsyet se përse nuk kaloi në Kuvend. Procedura e prezantimit, intervistave, lista e ngushtë gjithçka ka shkruar mirë, problemi nuk qëndron në mënyrën e përzgjedhjes por në atë se si ka votuar Kuvendi. Ne si partnerë implementues pas çdo procesi hartojmë një raport gjithëpërfshirës të cilin e dërgojmë te Ambasada Britanike, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri”, ka shtuar tutje Ryan.

Ai gjithashtu ka shtuar se janë duke monitoruar edhe disa procese tjera të rekrutimit në Kosovë, kryesisht emërime në bordet si KEK, Telekom, Ibër Lepenc dhe Ujësjellësi rajonal Prishtina dhe së fundi janë përfshirë për drejtorin e doganave.

Si dhe janë  duke përkrahur me emërime Komisionin e pavarur për miniera dhe minerale, kryesuesin e zyrës së rregullatorit të energjisë, anëtarët e këshillit të pavarur mbikëqyrës, organin shqyrtues të prokurimit publik, komisionin e pavarur për media dhe është ofruar mbështetje për krye shefin ekzekutiv të Prishtina Parking.