2020, viti i viruseve

Sonte në emisionin e KALLXO.com transmetohet një përmbledhje e ngjarjeve të vitit 2020.

Duke shikuar prapa në vitin që po lëmë pas, emisionet e KALLXO.com trajtuan disa prej temave më të nxehta që shënuan këtë vit.

Vetëm gjatë vitit 2020 KALLXO.com ka marrë 1,850 raportime, të cilat rezultuan me artikuj dhe emisione të shumta.

Falë këtyre raportimeve janë anuluar kontrata të dëmshme që paguheshin nga paraja publike.

Ndër këto, skema më e madhe në vlerë monetare që është arritur të ndalet ka qenë ajo e licencave për energji solare.

Pas transmetimit të këtij emisioni janë ndërmarrë shumë veprime të cilat kanë dërguar në anulimin e komplet procesit.

Temë tjetër e cila ka qenë në qendër të trajtimit gjatë tërë vitit ishte pandemia e COVID-19, si dhe tenderët e shumtë që u hapën për mjete mbrojtëse nga shumë institucione.

Kallxo.com pas një hulumtimi arriti të kuptojë se shumë komuna kishin abuzuar në çmime të maskave, me dallime shumë të mëdha.

Keqpërdorime të tilla me tenderë janë gjetur edhe në çmim në asfalt.

KALLXO.com vetëm gjatë këtij viti i ka dërguar në prokurori mbi 20 tenderë për të cilët kemi marrë konfirmim se janë nisur hetimet.

Këtë vit gjithashtu, pas rapotimeve të shumta kemi arritur të zbardhim edhe krimin në polici, ku nga aksioni i fundit kufitar janë arrestuar 45 policë dhe dhjetra kontrabandistë.

KALLXO.com ka trajtuar edhe deklarimet e pasurisë së politikanëve në Agjencinë Kundër Korrupsion, ku ka arritur të gjejë se shumë prej tyre nuk e kanë deklaruar të gjithën dhe për këtë janë hapur raste në prokurori.

 

Gjatë këtij viti është trajtuar edhe tema e krimeve të luftës në Kosovë. Në muajin dhjetor prokuroria deklaroi se ka nisur hetimet për 9 masakra në Kosovë.

Hulumtimet tona gjatë vitit pasqyruan edhe gjendjen në shëndetësi, nga shumë vizita që u janë bërë spitaleve është gjetur mungesë e madhe furnizimesh me barna e produke esenciale higjientike.

Reagime të mëdha pati edhe pas transmetimit të reportazhit në QKUK, ku u pasqyrua gjendja në hapësirat ku po trajtohen pacientët me COVID-19.

Pas transmetimit të këtij emisioni pati shumë suspendime të personave që nuk e kishin kryer punën si duhet.

Kurse, në fillim të këtij viti është nënshkruar një marrëveshje ajrore me Serbinë, kjo pa fije transparence për qytetarët. Kurse pak javë më vonë erdhi lajmi edhe për një marrëveshje hekurudhore mes dy vendeve.

Kallxo.com ka kërkuar qasje në këto dokumente, ku si përgjigje morëm leje vetëm për t’i parë, e jo poseduar pasi nuk ishte e ligjshme sipas tyre.

Jeta Xharra në muajin mars ka hyrë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe i ka marrë këto dokumente ku u zbulua se Kosova ishte paraqitur vetëm si ministri kurse Serbia si Republikë.

Fillimi i këtij viti po ashtu na solli qeverinë LDK-VV pas disa muaj bisedime, por që nuk rezultoi të jetë jetëgjatë, ku pas mosmarrëveshjeve kryesisht për heqjen e taksës dhe vënies së reciprocitetit me Serbine Qeveria u rrëzua. E gjitha kjo po ndodhte në një kohë kur rastet e para me COVID-19 në Kosovë po shënonin rritje.

Por, edhe pse Kurti nuk qëndroi shumë në qeveri arriti të rehatojë shumë militantë nëpër borde të ndryshme.

Gjatë këtij viti erdhën po ashtu arrestimet e para nga Gjykata Speciale, e ku pjesë e tyre ishte edhe presidenti Hashim Thaçi.

Kallxo.com kishte raportuar se presidenti është intervistuar edhe më herët nga kjo gjykatë por ky i fundit vazhdimisht e kishte mohuar një gjë të tillë.

Këtë pyetje e bëri edhe Jeta Xharra në një konferencë, ku sigurisht kishte marrë JO si përgjigje, por që më vonë rezultoi të jetë e kundërta.

Tre muaj pas këtyre aktakuzave u nënshkrua marrëveshja ekonomike me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë.

E ndër skandalet më të mëdha të vjedhjes është ai nga Thesari i Shtetit prej të cilit u vodhën 2.1 milionë.

Kurse javën e kaluar Gjykata Kushtetuese vendosi që të rrëzojë qeverinë Hoti.

Për një vit kalendarik, Kosova priti e përcolli dy qeveri.

Qeveria Kurti u rrëzua në mes të pandemisë, kurse ajo Hotit me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Më 23 mars të këtij viti përmes një mocioni të mosbesimit të iniciuar nga partneri i koalicionit LDK-ja, Kuvendi i Kosovës me 82 vota votoi pro rrëzimit të Qeverisë të udhëhequr nga Albin Kurti.

Pak muaj më vonë, partneri i këtij koalicioni LDK-ja, formoi një koalicion tjetër së bashku me AAK – NISMA-AKR – Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Viti 2020 nuk ishte mbarë as në fushën e sportit, Kosova nuk arriti të kualifikohet në kampionatin evropian të futbollit.

Ndërsa, në fushën e kulturës pati suksese përkundër faktit që shumë festivale të filmit nuk arritën të organizohen si shkak i pandemisë, por aktorja Adriana Matoshi fitoi tre çmime ndërkombëtare për filmat “Zana” dhe “Nëntori i ftohtë”.

Në anën tjetër, viti i ardhshëm e pret Kosovën me një palë zgjedhje të reja.