Këta janë dy kandidatët e propozuar për bord të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik

Qeveria ia ka propozuar Kuvendit të Kosovës emrat e dy kandidatëve për anëtarë të Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).

Propozimin para kabinetit qeveritar e bëri kryeministri i vendit Albin Kurti.

“Ky organ është i rëndësishëm sepse mbanë përgjegjësinë e zbatimit të ligjit për prokurim publik, për nga përgatitja ekonomike dhe kompetenca, të dy kandidatët i plotësojnë ato. Avni Sahiti propozohet për anëtarë, ndërsa Fidane Spahija- Gjikolli, anëtare, është doktor shkence në ekonomi ka përvojë akademike mbi 10 vite në fushën e kontabilitetit financiar”, tha Kurti.

KRPP sipas Ligjit për Prokurim Publik të Kosovës Nr.04/L-042, është përgjegjëse për zhvillimin, funksionimin dhe mbikëqyrjen e përgjithshme të sistemit të prokurimit publik në Kosovë, dhe i ushtron funksionet që i jepen nga ky ligj.

Njëra ndër funksionet që i janë dhënë KRPP-së me ligj është që të krijojë dhe mirëmbajë faqen informative në internet që i ofron publikut qasje të pakufizuar për të gjitha informacionet që kanë të bëjnë me prokurimin publik në Kosovë.

Ligji i Prokurimit Publik parasheh që ky bordi të përbëhet nga 5 anëtarë.

Bordi i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik momentalisht ka vetëm 3 anëtarë. Osman Vishaj, kryetar si dhe Sami Uka e Ergin Kala anëtarë.