Ilustrim

Këshilli i Prindërve të Prishtinës: Nuk jemi dakord që mësimi nuk po fillohet

Këshilli i Prindërve të Komunës së Prishtinës, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë që fillimi i vitit shkollor të shtyhet deri më 27 shtator.

Këshilli ka deklaruar se nuk janë dakord që mësimi nuk po fillohet as me prezencë të pjesshme, as me mësim online e as me mësim në distancë.

Sipas tyre, ato nuk janë zgjidhjet më të mira, por janë larg më të përshtatshme sesa të mos bëhet asgjë.

“Kushtëzimi që kthimi në shkolla të bëhet vetëm në Skenarin e Rikthimit dhe asnjë tjetër (me prezencë të plotë fizike në shkolla e 45 minuta ora mësimore), vlerësojmë se është i paarsyeshëm. Kjo për shkak se Udhëzuesi për mësim në kohë pandemie parasheh edhe tre skenarë të tjerë për këtë vit shkollor. Ne i këshillojmë prindërit që të përdorim videot e platformës për mësimin në distancë për klasat 1-9”, thuhet në reagimin e tyre të publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Tutje udhëzojnë prindërit, që të fillojnë vetë-organizimin e fëmijëve në shtëpi, “qoftë për të përsëritur mësimet e vitit të kaluar qoftë për të shfletuar librat e vitit të ri shkollor”.

“Për nxënësit e shkollave të mesme kjo mund të jetë pak më e vështirë, por të njëjtit mund të përdorin platforma të tjera për kërkim dhe mësim përmes internetit. Një platformë e njohur është e Khan Academy, që është listuar edhe në Udhëzuesin e Ministrisë së Arsimit”, thuhet mes tjerash në reagimin e Këshillit të Prindërve të Prishtinës.