Ilustrim

Këshilli i Prindërve: Kërkuam që pushimi të zhvendoset në fillim të janarit por Nagavci e refuzoi kërkesën

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka thënë se kanë propozuar që nxënësit të kenë pushim më 4, 5 dhe 6 janar 2023, por sipas tyre ky propozim është refuzuar nga ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci.

Sipas njoftimit, propozimi i tyre ishte që ditët e planifikuara për pushim prej 27 janarit e deri më 2 shkurt 2023 të zhvendosen e të bëhet pushim më 4, 5 dhe 6 janar 2023.

“Propozimi i Këshillit të Prindërve ishte që ditët e planifikuara për pushim prej 27 janarit e deri më 2 shkurt 2023 të zhvendosen e të bëhet pushim më 4, 5 dhe 6 janar 2023. Kjo meqë (tradicionalisht) për vitin e ri ka më shumë frymë festive e pushimesh dhe kemi shumë mërgimtarë që vizitojnë Kosovën. Me këtë kërkesë, e me këto arsye, i jam drejtuar Ministres së Arsimit, znj. Arbërie Nagavci. Por, Ministrja Nagavci e ka refuzuar kërkesën, duke dhënë arsyetime procedurash administrative” – thuhet në njoftim.

Por, përkundër kësaj Këshilli i Prindërve ka ftuar prindërit që të respektojnë vendimin dhe më 4 janar të vazhdojë mësimi.

“Shkollat do të jenë të hapura prej 4 janarit 2023 dhe mësimdhënësit do të detyrohen të jenë në shkolla në ato ditë pune. Andaj mungesa e nxënësve vetëm jua komplikon proceset mësimdhënësve dhe menaxhmentit të shkollave, për çka nuk kemi qenë asnjëherë të interesuar” – thuhet tutje në njoftim.

Në fillim të vitit shkollor 2022/2023, për një muaj me radhë nxënësit nuk kanë mbajtur mësim për shkak të grevës e cila është mbajtur.