Foto: KALLXO.com

Mbyllen edhe çerdhet, zv.ministrja tregon pse nuk po zhvillohet mësimi online

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna, kanë konfirmuar shtyrjen për më 26 shtator të fillimit të mësimit për nivelin parauniversitar.

“Aktiviteti mësimor në institucione publike e private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit parashkollor, dhe të qëndrimit ditor, pezullohen deri më datë 26 shtator. Ky pezullim vlen edhe për mësimin me prani fizike në institucionet publike e private të arsimit universitar”, tha ministri Vitia.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, për familjet me fëmijë të regjistruar në institucionet parashkollore dhe me dy prindër të punësuar, njëri prind lirohet nga paraqitja në punë nga data 13 deri më 26 shtator.

Studentët në mënyrë që t’u mundësohet regjistrimi në konvikt duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë certifikata e vaksinimit ose testet për COVID-19.

E pyetur nga KALLXO.com pse nuk po fillon mbajtja e mësimit online, zëvendësministrja e Arsimit tha se mësimi online është një nga skenarët e detajuar në udhëzues.

“Megjithatë, bazuar në të gjitha trendet dhe  strategjitë botërore, të gjitha po konstatojnë që rikthimi të jetë në shkolla me prani fizike. Kjo për arsye se humbjet mësimore që pandemia ka shkaktuar në kohën e kaluar janë të mëdha dhe efektet e saj do të kenë dëme negative për shumë vite me radhë. Prandaj synimi ynë mbetet që rikthimi të jetë në shkolla por ky rikthim të jetë i sigurt”, tha zëvendësministrja e Arsimit Edona Maloku Bërdyna.