UNICEF: Privimi në arsim ka pasoja serioze në arritjet arsimore

Zyra e UNICEF-it në Kosovë përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin për vonesën në fillimin e vitit shkollor.

“Fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë tash e katër javë nuk kanë qasje në arsim. UNICEF-i është thellësisht i shqetësuar me këtë vonesë në fillimin e vitit shkollor, veçanërisht në kohën kur të gjitha përpjekjet duhet të fokusohen në kompensimin e humbjeve të mësimit për shkak të pandemisë COVID-19”- thuhet në reagimin e tyre.

Sipas Unicef, privimi i të drejtës për arsim ka pasoja serioze në arritjet arsimore, shëndetin mendor dhe mirëqenies së fëmijëve.

Tutje, u potencua thirrja për kthim të fëmijëve sa më parë në mësim.

“Jemi duke e përjetuar një krizë globale në mësim nxënie, me gati dy të tretat e fëmijëve të moshës 10 vjeçare që nuk janë në gjendje ta lexojnë dhe kuptojnë një tekst të thjeshtë dhe privimi i vazhdueshëm i të drejtës për arsimim mund të ketë pasoja serioze në arritjet arsimore, shëndetin mendor dhe mirëqenien e fëmijëve. Ne duhet ta vëmë në plan të parë interesin më të mirë të fëmijëve dhe të sigurohemi që mund t’i kthehen mësimit sa më parë që është e mundur”- thuhet më tej në komunikatë.

Greva në sektorin publik dhe në arsim ka filluar më 25 gusht 2022.

Një numër i madh i mësimdhënësve vazhdojnë të jenë në grevë, ndërsa viti shkollor 2022/23 ka filluar në disa shkolla.

Pezullimi i grevës nga tetori deri në janar, SBAShK-u kërkon mendimin e grevistëve