Këshilli i Etikës nuk merr vendim për Xhevat Krasniqin, aktivistët bllokojnë hyrjen e Administratës Qendrore të UP-së - VIDEO

Këshilli i Etikës nuk ka marrë as sot vendim në lidhje me rastin e profesorit Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmime seksuale nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit ‘Hasan Prishtina’.

Pasi që Këshilli nuk mori vendim, aktivistë të Lëvizjes Feministe Studentore kanë bllokuar hyrjen e Admnistratës Qendrore të UP-së, duke mos lejuar daljen nga objekti të anëtarëve të Këshillit.

Protesta e aktivistëve brenda sallës në të cilën Xhevat Krasniqi raportoi para Këshillit të Etikës- UP / 22.04.2024
Protesta e aktivistëve brenda sallës në të cilën Xhevat Krasniqi raportoi para Këshillit të Etikës- UP / 22.04.2024

Xhevat Krasniqi pasi ka përfunduar deklarimin e tij, anëtarët e Këshillit të Etikës e kanë pyetur atë rreth vlerësimit që ka bërë në lëndën e tij dhe për disa prej deklaratave të studenteve që kanë raportuar ngacmimin.

Protesta e aktivistëve brenda sallës në të cilën Xhevat Krasniqi raportoi para Këshillit të Etikës- UP / 22.04.2024
Protesta e aktivistëve brenda sallës në të cilën Xhevat Krasniqi raportoi para Këshillit të Etikës- UP / 22.04.2024

Për një studente, Krasniqi tha se në protestë është shpreh që “m’ka ngacmu” mirëpo sipas tij “nënshkrimin s’e ka fare në ankesë”.

Rreth shprehjes e cila është deklaruar nga 27 studentet e Mjekësisë se Krasniqi i ka pyetur se “çka ki nën fustan”, ai ka thanë se i pyet pasi dyshon se kopjojnë.

“M’pyesin – Ai ke thanë ti studentes çka ki nër fustan?, kurrë s’e kam thanë. Ka ndodhë – çka ki aty, e qet telefonin, t’u kopju. Krejt këmbët i shkruajnë me formula të matematikës, edhe duart” – ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka përmendur rreth gjashtë profesorë të Matematikës që kanë ligjëruar më herët në Mjekësi.

Këshilli i Etikës e ka pyetur se cilët janë arsyet e largimit të këtyre profesorëve, sipas tij.

“Në mesin e tyre një profesor që ka qenë kogja gjatë aty, vjen në një pozitë që studentët i pyt me detyra të klasës pestë. Kot është sepse ata dojnë m’i vendos notat veç qysh dojnë ata” – ka deklaruar Krasniqi.

Këshilli i Etikës e ka pyetur se a mund të konstatohet pretendimi i tij se kjo është një fushatë për largimin e tij nga Universiteti i Prishtinës.

Rreth kësaj, Krasniqi tha se e ka të vështirë ta dijë se çka mendojnë të tjerët.

Kurse, për deklaratat e studenteve që e kanë denoncuar se ai i ka komentuar për dukjen dhe veshjen e tyre, ai e ka mohuar se e ka bërë këtë.

“Nuk është e natyrës sime m’i komentu veshjet ose dukjet” – ka thënë Krasniqi.

Ai po ashtu e ka mohuar se i ka shikuar studentet nga majat e gishtave deri në kokë, siç kanë raportuar studentet dhe dëshmitarët se kishte vepruar kështu Krasniqi gjatë ligjëratave në Mjekësi.

Këshilli i Etikës ka vazhduar ta pyesë se a ka pasur studentë tjerë prezentë kur pretendohet se është thënë fjala “masazh” ndaj nji studentje nga ana e tij.

“Po çfarë masazhe po flitet aty, po na e kem detyrë zyrtare. Në asnjë mënyrë, aty thotë, njihere jena kanë vetëm, tani dalim dy-tre dëshmitarë. Në asnjë mënyrë s’ka ndodhë ajo hiç” – tha Krasniqi.

Më tej, nga Këshilli i Etikës thanë se kanë parë disa vlerësime të performancës së tij si profesor që u ka sjellur Fakulteti i Edukimit dhe se për degën e Farmacisë në Mjekësi, nga ku është raportuar për ngacmim, ai u kishte premtuar se do t’i sjellte raportet e vlerësimit të studentëve.

Krasniqi tha se nuk e ka dëgjuar se do t’i sillte raportet e vlerësimit të studentëve të Farmacisë.

“Vazhdimisht vlerësimi për mua ka fillu me ra, po edhe studentët me njohuri nga matematika kanë ardhur më të varur” – tha Krasniqi.

“Te Fakulteti i Edukimit, aty 85% vlerësimi është pozitiv (nga studentët)” – tha Krasniqi.

Sa i përket çështjes që është raportuar se Krasniqi i ka mbajtur konsultimet me derën hapur, Krasniqi ka shpjeguar se në çfarë mënyre i mban konsultimet.

“Dal te dera i marr testet sipas asaj rradhe. I thërras – urdhno hyn n’zyre. Qe ku është një kompjuter me zgjidhje të detyrave, krahasoi… në këto raste thom shikoje, nëse studenti e ka punu mirë, i sheh të gjitha detajet”.

“Unë i maj konsultimet për studentë që me pa testin”.

“Në konsultime hyjnë tre, katër, pesë, varësisht prej hapësirës që e kam aty. I shkojmë gjithësecili, i komentojmë me njëri-tjetrin. Edhe ajo dera është e hapur, mund të jetë edhe e mbyllur” – Krasniqi

“Unë e ndiej vetën shumë të pastër, si me thanë (dera) e hapur, si me thanë e mbyllur. Për 12 vjet s’u anku kërkush për mua, qoftë dera e hapur, qoftë dera e mbyllur” – tha Krasniqi.

27 studente të Fakultetit të Mjekësisë, në të cilin Krasniqi jepte lëndën e matematikës si profesor i angazhuar, kanë raportuar se janë ngacmuar seksualisht nga ai.

Lidhur me pretendimet e studenteve se janë ngacmuar seksualisht nga profesori Krasniqi, Fakulteti i Mjekësisë tha më 27.03.2024 se fillimisht ishin informuar gojarisht.

Kurse, denoncimin me shkrim studentet e Fakultetit të Mjekësisë e kishin dorëzuar zyrtarisht më 27.02.2024 në Fakultet.

Pas denoncimit të studenteve, i gjithë menaxhmenti i Mjekësisë, dekan e prodekan, janë mbledhur më 04.03.2024, me ç’rast kanë ftuar edhe profesorin Krasniqi për t’ia kumtuar me gojë denoncimin e studenteve ndaj tij dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me të.

Sipas Fakultetit të Mjekësisë, Krasniqi nuk e ka pranuar se i ka ngacmuar seksualisht studentet.

Kallxo Përnime ka publikuar hulumtimin, në të cilin, disa vajza dhe djem rrëfejnë për ngacmimet seksuale që pretendohet se profesori i matematikës, Xhevat Krasniqi i ka bërë ndaj studenteve të mjekësisë.

 

Xhevat Krasniqi i quan ‘të shtrembëruara’ deklaratat e studenteve që raportuan ngacmimin seksual në UP