Kërkohet paraburgim për 21-vjeçarin e dyshuar për tentim vrasjen e policit në Pejë

Nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë e mbetur në tentativë, Prokuroria e Pejës ka kërkuar që ndaj A. Gashit Gjykata të vendosë masën e paraburgimit.

21-vjeçari, sipas dosjes së Prokurorisë, tentoi ta vriste zyrtarin e Policisë së Kosovës, duke e goditur me veturë.

Incidenti ka ndodhur sot në fshatin Ozdrim të Pejës.

Pas incidentit, i dyshuari kishte ikur me veturë, por është arrestuar më vonë.

A. Gashi aktualisht është ndaluar për 48 orë.

I dyshuari, i njohur me nofkën “Uzdrimi”, në dosjen e Prokurorisë është cilësuar si recidivist.

Sipas aktvendimit për fillimin e hetimeve, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, A. Gashi më 26 dhjetor tentoi të vriste zyrtarin policor, i cili ishte në detyrë zyrtare.

Dosja tregon se si derisa zyrtari policor ishte në detyrë zyrtare në vendin e lartcekur së bashku me kolegun e tij, e vërejnë veturën “Golf II”, të cilën e voziste i pandehuri dhe i sinjalizojnë me bateri që të ndalojë.

Tutje thuhet se i pandehuri pas sinjalizimit e rrit shpejtësinë në drejtim të zyrtarëve policorë dhe me pjesën e parë të veturës e godet njërin nga policët, të cilin e përplas përtokë.

Më pas i pandehuri e rrit shpejtësinë dhe ik nga vendi i ngjarjes.

Ai veturën e kishte fshehur pas një mulliri gjersa vetë ishte larguar këmbë.

Policit me këtë veprim i pandehuri i shkakton lëndime trupore në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.

Prokuroria në aktvendim ka thënë se i pandehuri dyshohet për vepër penale – vrasje e rëndë e mbetur në tentativë.