Alicia Kearns, Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Kearns: Një muaj prej që ka pranuar fajësinë, megjithatë Radoiçiq mbetet i lirë në Serbi

Deputetja në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns ka theksuar se ndonëse janë bërë një muaj prej kur ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq ka pranuar fajësinë për sulmin në Banjskë, ai mbetet i lirë në Serbi.

Kearns ka thënë se ende nuk ka veprime për rolin e Beogradit.

“Tashmë ka një muaj që Radoiçiq ka pranuar fajësinë për sulmin paraushtarak në Kosovë me armë të ofruara nga Beogradi. Megjithatë ai mbetet i lirë në Serbi. Pa asnjë përgjegjësi për rolin e Beogradit. Unë i kam parë armët dhe kam takuar familjen e Afrim Bunjakut – ata e meritojnë drejtësinë”- ka shkruar Kearns në rrjetin social “X”.

Ajo ka njoftuar se i ka parë armët e sekuestruara në Banjskë.

Ndërsa ka thënë se ka takuar familjen e policit të vrarë Afrim Bunjaku, duke shtuar se ata meritojnë drejtësinë.

Për ‘Kallxo Përnime’, deputetja Kearns është shprehur e shqetësuar për faktin që lideri i grupit që kreu sulm terrorist në Banjskë më 24 shtator, Millan Radoiçiq po qëndron ende në Serbi dhe nuk gjendet në burg.

Ajo shtoi se Radoiçiq, duhet të ekstradohet në Kosovë dhe të përballet me institucionet e drejtësisë.