Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, Foto: ZKM

KE propozon heqjen e vizave për kosovarët me pasaporta të Serbisë, reagon Bislimi

Komisioni Europian (KE) ka propozuar heqjen e vizave edhe për qytetarët e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë, të cilat lëshohen nga një zyrë e veçantë e quajtur Drejtoria Koordinuese e Serbisë, siç raporton Radio Evropa e Lirë.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka reaguar me shqetësim lidhur me këtë propozim të KE-së, duke thënë se ai shkel marrëveshjet e dialogut për shuarjen e strukturave ilegale dhe minon integrimin e komunitetit serb në Kosovë.

“Ky propozim, nuk është diskutuar me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e as konsultuar apo informuar mbi këtë. Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme” – ka shkruar Bislimi në Facebook.

Ai ka ftuar Bashkimin Europian që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel.

I dyti i Qeverisë ka shtuar se serbët e Kosovës nuk kanë mbetur pa liberalizim të vizave, pasi që ata mund të pajisen me pasaporta të Kosovës, që ua mundëson udhëtimin pa viza që nga 1 janari 2024.

Interesimi i komunitetit serb për t’u pajisur me pasaporta kosovare, sipas Bislimit, është rritur për 29% në krahasim me vitin e kaluar.

Ai tha se Qeveria tashmë po praktikon një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve të Kosovës me pasaporta.

“Këtë kundërshtim në lidhje me propozimin e kemi adresuar drejt instancave më të larta të BE-së. I bëjmë thirrje BE-së që të rishqyrtojë këtë propozim, i cili përmban shkelje të shumëfishta” – ka thënë Besnik Bislimi.

Lidhur me këtë vendim kanë reaguar edhe 21 organizata të shoqërisë civile të Kosovës duke kërkuar tërheqjne e propozimit.

Këto organizata i janë drejtuar sot me një letër komisioneres europiane për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson.

Në këtë letër, të publikuar nga organizata Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), janë renditur disa pasoja, që këto organizata i konsiderojnë të ndodhin nëse ky propozim miratohet.

Këto pasoja sipas organizatave janë: lëndimi serioz i zbatimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhnëieve mes Kosovës dhe Serbisë, inkurajimi i strukturave kriminale në veri, instalimi i një precedenti të rrezikshëm ku Bashkimi Europian do të legjitimonte pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës, dhe pranimi i dokumenteve personale të lëshuara nga autoritetet të cilat nuk kanë mundësi as teknike e as ligjore të verifikojnë të dhënat e bartësve të këtyre dokumenteve.

Me vendim të Bashkimit Europian, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të fillojë nga 1 janari 2024.