Kavajë, arrestohen babë e bir, dyshohet se vidhnin vetura, i çmontonin dhe i shisnin

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se pas veprimeve hetimore të kryera në bazë të inteligjencës policore janë identifikuar dhe arrestuar në Kavajë  dy persona (babë e bir), të dyshuar për vjedhje të automjeteve.

Sipas Policisë së Shtetit, dy të arrestuarit dyshohet se kanë vjedhur 5 automjete dhe targat e 2 automjeteve të tjera në Kavajë dhe në Shijak.

Në njoftim thuhet se në servisin e këtyre shtetasve, në fshatin Priskë, janë gjetur pjesët e njërit nga automjetet e vjedhura në Kavajë dhe të një automjeti tjetër të denoncuar të vjedhur në Rinas.

Policia ka bllokuar servisin e të arrestuarve, në të cilin ata dyshohet se fshihnin automjetet e vjedhura dhe i çmontonin, me qëllim shitjen.

M.Sh., 63-vjeç dhe J.Sh., 33-vjeç (babë e bir), dyshohen të kenë vjedhur dy automjete “Range Rover”, një “Mercedes Benz”, një “Audi A5”, një “Volkswagen” dhe targat e 2 automjeteve të tjera.

Sipas Policisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.