Katër raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Rastet kanë ndodhur në Podujevë, Gjilan, Gjakovë dhe Zveçan.

Në Podujevë, policia ka arrestuar një person nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht gruan dhe vajzën e tij.

Në raportin e Policisë së Kosovës thuhet se i dyshuari është me probleme psikike.

Si pasojë e dhunës lëndime trupore ka pësuar vajza e të dyshuarit e cila sipas policisë është dërguar për trajtim mjekësor.

Me vendim të prokurorit i dyshuari për shkak të krizës mendore është dërguar për trajtim në repartin e psikiatrisë.

Në Gjilan, policia ka arrestuar një person, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Sipas policisë, viktima ka pësuar lëndime  trupore si pasojë e dhunës e që më pas ka pranuar trajtim mjekësor dhe është dërguar në strehimore.

Ndërkaq, i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në Gjakovë, ku forcat e rendit kanë arrestuar një person nën dyshimin se ka goditur fizikisht babanë e tij, i cili kishte tentuar t’i jap terapinë të dyshuarit për shkak se sipas policisë, i njëjti vuan nga depresioni.

Në raportin policor thuhet se i dyshuari ka refuzuar këshillat dhe trajtimin e mjekut, ndaj të cilit me vendim prokurori ka caktuar masën e ndalimit për 48-orë dhe nën përcjellje të policisë është dërguar në repartin psikiatrik për trajtim të detyrueshëm.

Ndërkaq në Zveçan, një grua ka raportuar në Policinë e Kosovës se djali i vëllait të saj me të cilin është duke jetuar në bashkësi familjare, është duke ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj.

Sipas policisë, lidhur me rastin është informuar prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.