Foto: PSD, Facebook

Katër policë të lënduar në protestën e PSD-së në ZRrE

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë protestës së djeshme të organizuar nga Partia Socialdemokrate brenda Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, katër zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore

Sipas njoftimit, gjatë arrestimit të një personi kanë hasur në rezistim me ç ‘rast janë lënduar zyrtarët policorë.

Tutje në raportin policor bëhet e ditur se janë arrestuar 13 persona të cilët sipas Policisë kanë hyrë në objektin e ZRrE-së dhe kanë penguar punën e punonjësve.

Me vendim të prokurorit, pas intervistimit katër të dyshuar janë dërguar në mbajtje ndërsa të tjerëve u janë shqiptuar “Fletëparaqitje për kundërvajtje”, njofton Policia.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj dhe aktivistë të tjerë të këtij subjekti gjatë ditës së djeshme janë larguar me forcë pasi kanë qëndruar që disa orë në zyrat e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Policia e Kosovës ka arrestuar kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj brenda objektit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj dhe aktivistë të tjerë të këtij subjekti janë ballafaquar me kryetarin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu brenda zyrave të këtij institucioni pas vendosjes së tarifave të reja.