Foto: PSD, Facebook

Protesta e PSD-së në ZRrE, Policia jep detaje për arrestimet

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 15:00 në objektin e ZRrE-së, janë arrestuar 13 persona për pengim të personave zyrtarë në kryerje të detyrës.

Sipas njoftimit, Policia vazhdimisht u ka bërë thirrje protestuesve të Partisë Socialdemokrate(PSD) që të dalin nga objekti dhe të vazhdojnë aktivitetin e tyre, duke mos penguar zyrtarët e institucionit në fjalë, të njëjtit nuk janë bindur.

“Duke parë që kanë dështuar të gjitha përpjekjet tjera, në përputhje me autorizimet policore dhe urdhrin e prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 nga ta dhe aktualisht po vijon ndërmarrja e veprimeve në këtë fazë preliminare hetimore”, ka njoftuar Policia.

Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, konform rekomandimit të prokurorit të shtetit për cilësimin e veprës për të cilën dyshohen, personat e arrestuar do të procedohen më tej, thuhet në njoftimin e PK-së.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj dhe aktivistë të tjerë të këtij subjekti janë larguar me forcë pasi kanë qëndruar që disa orë në zyrat e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Policia e Kosovës ka arrestuar kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj brenda objektit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj dhe aktivistë të tjerë të këtij subjekti janë ballafaquar me kryetarin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu brenda zyrave të këtij institucioni pas vendosjes së tarifave të reja.

Në anën tjetër, “antidemokratike” e ka quajtur Partia Socialdemokrate arrestimin e aktivistëve të saj, sot gjatë protestës së tyre në zyrat e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) në lidhje me shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike.

Sipas PSD-së protesta e tyre kishte vetëm një qëllim, “që vendimi përmes së cilit është bërë rritja enorme e faturave të energjisë elektrike të bëhej publik”.

Më 8 shkurt, Zyra e Rregullatorit ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovat, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

ZRrE vendos për tarifat e reja