Katër policë po intervistohen nga IPK për dyshimet e plagosjes së një qytetari në Leposaviq

Katër zyrtarë policorë janë duke u intervistuar tashmë në cilësinë e të dyshuarve për plagosjen e cila ndodhi mbrëmë në Leposaviq, në afërsi të vendit të njohur si “Ura e Bistricës”

KALLXO.com mëson se zyrtarët policorë të dyshuar janë pjesëtarë të Njësisë Speciale Operative të Prishtinës dhe janë duke u intervistuar nga ekipet e hetuesve të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Ata janë ftuar në hetim pasi dyshimet për plagosjen në Leposaviq rëndonin mbi disa zyrtarë policorë të cilët ishin të vendosur në një pikë statike.

Dyshimet e para sipas Policisë së Kosovës janë se një zyrtar policor fillimisht mund të ketë shtënë me armë zjarri ndaj një qytetari.

Zyrtari policor i dyshuar për gjuajtje me armë është suspenduar edhe nën dyshimin se nuk kishte raportuar rastin.

Policia ka thënë se për të njëjtën çështje ata kishin lëshuar një njoftim se policia nuk ka e përfshirë.

Bashkë me te dyshuarin kryesor, janë suspenduar edhe tre policë të tjerë pasi që dyshohet se edhe ata janë të përfshirë në rast.

Rasti është duke u trajtuar edhe nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Lidhur me këtë rast janë shprehur të shqetësuara Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka bërë thirrje që të kryhen hetime kredibile.

“Të gjithë shtetasit duhet të kenë besim në transparencën e zyrtarëve për zbatim të ligjit dhe në sektorin e drejtësisë. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara ndaj institucioneve për sundim të ligjit, avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multi-etnik”, ka thënë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Sipas tij, “të gjithë personat përgjegjës për këto veprime kriminale, duhet të mbajnë përgjegjësi”.

4 policë suspendohen pasi dyshohen për përfshirje në plagosjen e një personi në Leposaviq