Ilustrim

4 policë suspendohen pasi dyshohen për përfshirje në plagosjen e një personi në Leposaviq

Katër policë janë suspenduar pasi dyshohen se kanë qenë të përfshirë në rastin e plagosjes së një personi në Leposaviq më 10 prill.

“Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri” – njofton Policia e Kosovës.

Sipas policisë, suspendimi ka ardhur pasi që ai nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, për të cilin Policia e Kosovës kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri.

Masa të suspendimit është marrë edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast.

Sipas procedurave të parapara ligjore, policia menjëherë ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Prokurorinë kompetente për procedura të mëtejme penale.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë të realizojë detyrat zyrtare konform autorizimeve ligjore, të mbajë të informuar opinion në mënyrë të drejt dhe të paanshme, pa marrë parasysh se kush është përfshirë në rast dhe në asnjë rrethanë të vetme, nuk do të veprojë ndryshe, vetëm sipas legjislacionit në fuqi” – thuhet tutje në njoftim.

Policia e Kosovës mëngjesin e sotëm kishte demantuar raportimet e disa mediumeve serbe, se është e përshirë në rastin e plagosjes së një personi, mbrëmë në Leposaviq.

Përmes një komunikate për media, Policia kishte thënë se nuk është e përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo gjuajtjes me armë zjarri në asnjë lokacion në veri të Kosovës.