Si rodhi procedura për lirimin e Pantiçit me 30 mijë euro dorëzani rreth një muaj më parë

Ish-zyrtari Policor Dejan Pantiç i cili ishte arrestuar më 10 dhjetor 2022 si i dyshuar për sulm me mjete shpërthyese në zyret e KQZ-së në veri të vendit, gjendet në liri që nga 6 shtatori i këtij viti.

Pantiç ishte nën masën e arrestit shtëpiak që nga 28 dhjetori i vitit 2022, deri më datën 6 shtator të këtij viti, ku masa e arrestit shtëpiak i ishte zëvendësuar me masën e garancisë {dorëzanisë} në shumën prej 30 mijë euro.

Kërkesa për dorëzani kishte ardhur nga mbrojtësi i Pantiçit, avokati Ljubomir Pantoviq, marrë për bazë faktin që nga ana e Prokurorisë Speciale nuk kishte asnjë kërkesë për vazhdimin arrestit shtëpiak për të dyshuarin.

Ju njoftojmë se gjykata nuk ka pranuar kërkesë për vazhdimin e arrestit shtëpiak nga ana e PSRK-së”- thuhet në përgjigjën e Gjyqtarit të procedurës paraprake, Mentor Bajraktari, e transmetuar te KALLXO.com, përmes zyrës për informim të Gjykatës.

Veprim i PSRK-së, që i ka hapur rrugë mbrojtësit të Pantiçit, që më 4 shtator të paraqes kërkesë në Gjykatë, që masa e arrestit t`i zëvendësohet me atë të dorëzanisë.

Propozim i mbrojtës, ka marrë dritën e gjelbër edhe nga vet Prokuroria Speciale, duke i mundësuar Pantiçit, lirimin nga arresti shtëpiak për vetëm 30 mijë euro.

Më datën 04.09.2023 nga mbrojtësi i të pandehurit D. P., av. Ljubomir Pantoviq, gjykata ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë, ashtu që më datën 05.09.2023 gjykata nga Prokurori i Shtetit nga PSRK ka pranuar parashtresën-pëlqimin me të cilën ka propozuar që masa e arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D. P. të zëvendësohet me masën e dorëzanisë… pas deponimit të shumës prej 30,000.00 Euro. Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin numër PPPS.nr.63/22, më datë 06.09.2023 ndaj të pandehurit D. P. ka  aprovuar kërkesën e mbrojtësit, ashtu që ka zëvendësuar masën e arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë” – thuhet në përgjigje.

Por çka është dorëzania?

Dorëzania është masë për ta siguruar të  pandehurin në procedurë penale, kurdo që gjykatës i nevojitet.

Me dorëzani nënkuptojmë kur i pandehuri deponon shumë të caktuar të parave apo sende, në këtë rast Dejan Pantiç ka dorëzuar shumën prej 30 mijë euro’, për t’iu zëvendësuar masat që i kishte në aplikim.

Dorëzania ipet me qëllim që ta bind Gjykatën që i pandehuri do t`i përgjigjet ftesave të Gjykatës sa herë që është e nevojshme dhe se nuk do të bojkotoj procesin gjyqësor.

Në rast së i pandehuri, “ikë” e nuk përgjigjet në ftesa të gjykatës, mjetet financiare apo sendet me vlerë, që i ka deponuar i pandehuri, derdhen në fondin për kompensimin e viktimave.

Pantiq pas arrestimit të tij fillimisht ka qëndruar në paraburgim nga 12 dhjetori i vitit 2022, ndërsa më 28 dhjetor të po atij viti kjo masë i ishte zëvendësuar me arrestin shtëpiak.

Pantiq ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më datën 10 dhjetor të vitit 2022 për sulm në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë.

Sulmi kishte ndodhur gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të tyre për zgjedhjet që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.

(Shënim: Teksti është edituar për arsye të specifikimit të datës së saktë që kur gjykata ka aprovuar kërkesën për dorëzani – Koha e editimit 13:20 – 21.10.2023)