Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatët për Kaçanikun premtojnë subvencionim të transportit për nxënësit

Kandidatët për kryetar të Kaçanikut kanë premtuar se do të subvencionojnë transportin për nxënësit kaçanikas që vijnë nga viset e largëta të këtij qyteti.

Besim Ilazi, kandidat i Partisë Demokratike e Kosovës për kryetar të Kaçanikut ka thënë se transporti i nxënësve paguhet edhe tash për 50%.

“Deri para dy viteve ne kemi subvencionuar të gjitha rastet sociale. Por kategoria “mallrat dhe shërbimet” nuk na janë premtuar. Nxënësit subvencionohen, por me 50% të biletës”, ka thënë Ilazi.

Jeton Raka, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kaçanikut ka premtuar subvencionim të transportit për nxënësit e Kaçanikut.

“Sa i përket sigurimit të biletave, ne u premtojmë se do t’i subvencionojmë nxënësit e shkollës së mesme dhe fillore nga fshatrat e largëta. Ka pasur raste kur kanë mbetur pa viju shkollën e mesme për shkak të mungesës së transportit”, ka thënë Raka.

Kastriot Bushi – kandidat i pavarur për kryetar të Kaçanikut ka thënë në Debat Pernime  tha se pagesa për nxënësit është detyrim njerëzor.

“Pagesa është detyrim njerëzor, shtylla më e fortë në shtet është arsimi”, ka deklaruar Bushi.

Shkëlqim Jakupi nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryetar të Kaçanikut ka premtuar se nga 1 janari 2022 transporti do të jetë falas për të gjithë nxënësit.

“Për Shkëlqim Jakupin nuk është premtim sigurimi i transportit për të gjithë nxënësit e shkollave të Kaçanikut, është vendim se nga 1 janari 2022 nxënësit do të udhëtojnë falas. Ky nuk është premtim por vendim”, ka premtuar Jakupi.

Shukri Luta, kandidat i pavarur për kryetar të Kaçanikut ka thënë se sigurimi i transportit për nxënësit është i përballueshëm nga secili kandidat për kryetar.

“Nuk duhet të bëhet shumë debat sa i përket transportit për shkak se nuk është aq buxhet i madh sa të mos mund të përballohet nga secili kandidat”, tha Luta.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Kaçanikut diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Kaçanikut: Besim Ilazi nga PDK; Jeton Raka nga LVV; Kastriot Bushi – kandidat i pavarur; Shkëlqim Jakupi nga LDK dhe Shukri Luta  kandidat i pavarur.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Kaçanikut: Ardita Rrahmani nga LDK; Florina Lika Vishi dhe Lirije Luta nga PDK; Arta Sopa dhe Resmije Loki nga LVV; Rabije Sallahi dhe Valentina Murseli nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.