Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deputeti Basha mungon në seancën për kanosje ndaj tij

Bajram Isufi me vendbanim në Gjermani, po akuzohet se ka kanosur Dimal Bashën, deputet i Kuvendit të Kosovës.

Në seancën dëgjimore në lidhje me pranimin mbi marrëveshjen e fajësisë munguan i pandehuri Isufi dhe i dëmtuari Basha, ky i fundit për shkak se gjendej jashtë vendit si deputet.

Avokati i të pandehurit, Shemdi Bunjaku tha se i akuzuari nuk mori pjesë në seancë për shkak se gjendet në Gjermani e nuk ka pas dijeni se do të mbahet seanca në këtë datë (18.03.2024).

Për shkak të pushimit të të akuzuarit, avokati kërkoi nga Gjykata që seanca të caktohet kur i akuzuari të jetë në Kosovë.

“Kërkoj nga Gjykata që në këtë kohë të caktoj seancë me qenë se i njëjti e ka pranuar fajësinë dhe ka arritur marrëveshje me Prokurorinë, vullnetarisht ka ardhë nga Gjermania në Kosovë. Kështu që kërkoj me mirësjellje që në këtë kohë të caktohet seanca, i njëjti në këtë kohë do të prezantoj në Gjykatë”, tha avokati Bunjaku.

Prokurorja Elza Bajrami konfirmoi arritjen e marrëveshjes me të pandehurin.

“Edhe ne si Prokurori. Faktikisht nga prokurori i cili e ka ngritur aktakuzën dhe ka arritur marrëveshjen në këtë çështje penale, jemi njoftuar se është një kërkesë e tillë që nuk ka mundësi me prezantu në këtë seancë, mirëpo pala është drejtuar edhe në Prokurori për njoftim”, deklaroi prokurorja Bajrami.

Gjyqtari Dibran Isufi caktoi seancën e radhës më 10 korrik 2024.

“Seanca e sotme përfundon ndërsa e radhës caktohet më datë 10.07.2024 në ora 09:30”.

I pandehuri akuzohet se gjatë muajve korrik dhe tetor 2023 dy herë e ka kanos deputetin Basha.