Gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte, dëshmitarët e Prokurorisë Speciale nuk e ndiejnë veten të dëmtuar

Ish-pjesëtar i forcave policore të Serbisë, Ekrem Bajroviq sipas prokurorisë i akuzuar se ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës është ballafaquar me rrëfimin e dëshmitarëve, Mentor Mavraj dhe Tahir Shalaj.

Dëshmitarët që u dëgjuan në seancën e sotme (E martë 05.03.2024), ishin të propozuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e personave të cilët ishin ndaluar më 8 maj të vitit 1999 nga forcat serbe në fshatin Staradan, fshat në Istog.

Mavraj e Shalaj në pyetjet e prokurorisë u përgjigjën se më 8 maj 1999 forcat serbe kishin mbledhur të gjithë banorët e fshatit dhe i kishin vendosur në një objekt i cili shërbente si dyqan. Në këtë objekt i cili ndodhej tek rruga e Zallqit forcat serbe i kishin ndarë burrat nga pjesa tjetër e banorëve.

“Më 8 maj janë hy forcat policore serbe në fshat dhe na kanë mbledhë krejtve bashkë… Atë ditë në mëngjes na kanë nisë për në fshatin Zallq. Pastaj na kanë tubuar tanve në një shitore të vjetër në një lokal. Bash te rruga e Zallqit i kanë zbrit të gjithë meshkujt, unë jam kanë me familje aty më kanë metë nana e baba edhe do fshatarë në traktorin tonë. Veç unë kam zbrit prej traktorit. Pastaj na kanë shti në qatë lokal të vjetër”- tha dëshmitari Mavraj.

Rrëfim të ngjashëm si dëshmitari Marvraj kishte edhe dëshmitari Tahir Shala, i cili tha se nga forcat serbe ishte ndalur në Zallq, kerri i ishte marrë dhe ishte futur në një objekt i cili shërbente si shitore.

“Atë ditë në Zallq kur ma kanë marrë kerrin, ata që ma kanë marrë kerrin kanë qenë civil edhe m’kanë drejtu në një shitore, ka qenë e zbrazët ajo e madhja {i referohet një pjese ngjitur me objektin e shitores} u kanë ma e madhe, ajo si depo ma e vogël. Mua m’kanë shti qaty edhe një ushtar i rregullt sipas uniformës gjatë bastisjes t`u bisedu me mua “m’ka vet i kahit je?”, i kam thanë i qituhit, qe qajo është shpija jem se shihet shpija jem prej qasja depo”- tha dëshmitari tjetër Shalaj.

Dëshmitari më pas ishte lënë i lirë nga forcat serbe dhe kishte vazhduar rrugën i vetëm. Mavraj tha se nuk e konsideron veten të dëmtuar në këtë proces.

Dy dëshmitarët pohuan që në vend ku ishin ndarë burrat nga pjesa tjetër e banorëve kishin parë tashmë të akuzuarin, Ekem Bajroviq.

“Po këta dy {Milloshin dhe Ekrem Bajroviqin} i kom pa, n’kam janë kanë nashta edhe 20-30 policë të tjerë”- tha Mavraj.

Kurse dëshmitari tjetër Shalaj tha se Bajroviqin e kishte takuar vetëm një herë në objektin që përdorej si dyqan dhe më nuk e kishte parë asnjëherë.

Shalaj tha se nuk e ndien veten të dëmtuar nga i akuzuari, por “nga Serbia – po”. I njëjti tha se nuk do ta parashtroj kërkesë pasurore juridike.

Rasti është duke u gjykuar nga gjyqtar e Departamentit special, Mentor Bajraktari, Kujtim Krasniqi dhe Arben Hoti.

Çka thotë dosja e Prokurorisë për Ekrem Bajroviqin?

Sipas aktakuzës, gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, në Istog dhe në fshatrat përreth, Bajroviq ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës dhe trajtimit në mënyrë çnjerëzore të popullatës civile.

Këto veprime akuzohet t’i ketë kryer si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe në mënyrë individuale si dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë.

Aktakuza thotë se në fshatin Staradan më 8 maj të vitit 1999 kolona e popullsisë civile që po shkonte në drejtim të Shqipërisë ishte ndalur nga këto forca policore dhe ushtarake serbe, pjesë e të cilave ishte edhe Bajroviq, me ç’rast ishin ndarë djemtë e burrat nga pjesa tjetër e grupit.

Fillimisht atyre u ishin marrë paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e më pas ishin vendosur në oborrin e shtëpisë së një personi ku ishin renditur me radhë, me duar të ngritura lart dhe me fytyrë nga muri i oborrit, me ç’rast forcat serbe i kishin sulmuar fizikisht dhe rrahur me mjete të ndryshme, thuhet në aktakuzë.

Gjatë kësaj kohe, sipas aktakuzës, forcat policore dhe ushtarake serbe u ishin drejtuar me fjalët: “Ku e keni NATO-n?” e “Ku e keni UÇK-në?”.

Aktakuza thotë se më pas ishin dërguar në një shtëpi, në të cilën kishin pushkatuar së paku 16 prej civilëve shqiptarë. Vetëm një prej tyre kishte mbijetuar, ndonëse i plagosur.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, i akuzuari më 7 maj të vitit 1999 kishte marrë pjesë në arrestimin, kidnapimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë, të cilët fillimisht i kishin ndarë nga kolona dhe i kishin marrë të gjitha paratë e sendet me vlerë.

Më pas këta persona i kishin dërguar në Gurrakoc, në një lokal, në të cilin i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore e më pas i kishin transferuar në stacionin policor në Gurrakoc.

Sipas aktakuzës, kolonës i ka prirë i akuzuari Ekrem Bajroviq, i cili kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut një person në anën e djathtë nën brinjë.

Kurse më pas, sipas aktakuzës, pas vendosjes së civilëve në stacion policor, i kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore, dhunë psikike, duke i kanosur për jetë. Më tej në aktakuzë thuhet se përveç lëndimeve të rënda trupore u janë shkaktuar trauma dhe pasoja në shëndet.

Sipas aktakuzës, këto veprime sanksionohen sipas ligjeve vendore si dhe Konventës Ndërkombëtare të Gjenevës.

Aktakuzën po e përfaqëson prokurori special Ilir Morina.

Raportimet e KALLXO – LINK