Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KALLXO.com në listën e Departamentit të Shtetit si burim për ta raportuar korrupsionin në Kosovë

Departamenti  Amerikan i Shtetit e ka listuar Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), me drejtoreshën Jeta Xharra si njërin prej burimeve ku mund të raportohet korrupsioni në Kosovë.

Kjo është publikuar në raportin e DASh-it, për klimën e investimeve në botë për vitin 2020.

Organizatat BIRN dhe Internews Kosova, që nga viti 2012 kanë krijuar platformën KALLXO.com për raportimin e korrupsionit dhe parregullsive tjera në ofrimin e shërbimeve publike.

Në raport thuhet se sondazhet e opinioneve dëshmojnë përceptimin e publikut se korrupsioni është i përhapur në prokurimet publike dhe bizneset lokale dhe ndërkombëtare dhe se rregullisht përmendet korrupsioni, veçanërisht në formën e ndërhyrjes politike, si një nga pengesat më të mëdha të Kosovës për tërheqjen e investimeve.

DASh-i thekson se Kosova ka miratuar legjislacion të fortë për të luftuar korrupsionin, por qeveria deri më tani ka qenë e pasuksesshme në përpjekjet për të hetuar, ndjekur penalisht, burgosur dhe konfiskuar pasuritë e individëve të korruptuar.

Në këtë publikim përmendet edhe puna e Qeverisë në krye me ish-kryeministrin Albin Kurti, në luftën kundër korrupsionit, siç është shkarkimi i bordeve të ndërmarrjeve publike, për shkak të keqmenaxhimit.

“Qeveria Kurti, e cila filloi mandatin e saj në shkurt 2020, por ra në mars 2020 dhe që nga maji 2020 ishte në statusin e kujdestarit, ndërmori një numër hapash konkretë për të luftuar korrupsionin dhe ndërhyrjet politike, por duke pasur parasysh mandatin e saj të shkurtër nuk ishte në gjendje të institucionalizonte të gjitha masat e saj dhe të ndryshojë përceptimin e ndërhyrjes politike në administratën publike dhe sistemin gjyqësor”, theksohet në këtë raport.

Departamenti Amerikan i Shtetit bën të ditur se Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm janë agjencitë qeveritare të mandatuara për të luftuar korrupsionin.

Sipas tyre, ligjet e Kosovës mbrojnë organizatat joqeveritare që hetojnë korrupsionin.

Në mesin e burimeve të tjera që janë listuar nga DASh, për të raportuar korrupsionin në Kosovë janë edhe Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hilmi Jashari – Avokati i Popullit dhe Ismet Kryeziu drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës.