Kalkulatori për llogaritjen e faturës pas rritjes së çmimit të rrymës

Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar kalkulatorin për llogaritjen e faturës, në të cilin qytetarët mund të ngarkojnë të dhënat e faturës së fundit të energjisë elektrike dhe të llogarisin se sa do të jetë vlera e faturës me tarifat e reja të propozuara nga ZRrE.

Te kolonat e këtij kalkulatori për konsumin, qytetarët duhet të vendosin kilovatët që shpenzojnë gjatë ditës në njërën rubrikë (A1) dhe ato gjatë natës në rubrikën tjetër (A2), dhe kalkulatori automatikisht ua tregon se sa do të paguajë qytetari.

Këto të dhëna qytetarët mund t’i marrin në faturën që iu shkon nëpër shtëpi nga KEDS-i. Te pjesa ku shkruan konsumi mujor, janë rubrikat A1 (shpenzimi i rrymës gjatë ditës) dhe A2 (shpenzimi i rrymës gjatë natës).

Çmimi final të cilin do ta paguajë qytetari gjendet te rubrika “Fatura me subvencionim”.

*Nëse e keni hapur artikullin përmes Facebook-ut dhe nuk mund t’i ngarkoni të dhënat në kalkulator atëherë hapni artikullin direkt në faqen e KALLXO (www.kallxo.com) përmes Google Chrome ose Safari.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të paguajnë çmime më të larta.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për 600 kilovatët e parë nuk do të ketë shtrenjtim, kurse konsumin mbi 600 kWh do të tarifohet më çmime prej 107% më të larta. Shembull, nëse një familje i ka shpenzuar 800 kilovat atëherë 600 kilovat do të tarifohen me çmimet aktuale të energjisë, ndërsa 200 kilovat do të tarifohen me çmime 107% më të larta.

Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 cent për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 cent është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.

Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Sipas të dhënave të KEDS-it, konsumin prej 600 kWh e tejkalojnë 31% apo 195,300 konsumatorë të amvisërisë gjatë sezonës së dimrit. Ndërsa, 21% të konsumatorëve gjatë sezonës së verës.