Foto: Kadri Veseli/Facebook

Kadri Veseli mirëpret anëtarësime të reja në Gjilan, pa kryetarin e degës së PDK-së

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka mirëpritur në parti disa anëtarësime të reja nga Gjilani në një ngjarje që është mbajtur gjatë të shtunës.

Nëpërmjet një statusi në faqen e tij në Facebook, Veseli njoftoi se bëhet fjalë për anëtarësimin e dhjetëra qytetarëve të cilët kanë besim se PDK është partia e vetme që ka guximin për të çrrënjosur korrupsionin në mënyrë që të zhbllokojë mundësitë për rininë.

Por në fotografitë e shpërndara në komunikatën për media të PDK-së dhe në ato që publikuara në profilin e tij zyrtar, Veseli nuk shihet askund me kryetarin e degës së PDK-së në Gjilan, Qemajl Mustafën.

Mustafa është zgjedhur kryetar dege në zgjedhjet e fundit partiake që u mbajtën muaj më parë, ndërsa Veseli, pas rizgjedhjes në krye të partisë doli me vendim që t’i largojë nga partia personat të cilët janë të akuzuar apo të dënuar për vepra që lidhen me korrupsion.

Mustafa është një ndër të akuzuarit në një proces gjyqësor për kurdisje tenderësh gjatë kohës sa ka qenë kryetar i komunës së Gjilanit.

Pasi Veseli kishte vendosur largimin e njerëzve që kanë punë me gjykatat, Qemajl Mustafa kishte thënë për KALLXO.com se është i gatshëm ta lirojë pozitën e kryetarit të degës.

Qemajl Mustafa tregon nëse do ta lirojë pozitën pas vendimit të Kadri Veselit

Megjithatë, ai ende nuk e ka bërë publike dorëheqjen.

Në komunikatën nga ngjarja e sotme në Gjilan thuhet se freskimin e strukturave të partisë me burime të reja njerëzore Veseli e konsideron si ndihmesë të madhe për të përmbushur vizionin e PDK-së “për një Kosovë të zhvilluar, pa korrupsion, pa nepotizëm dhe me aleancë të fortë me partnerët ndërkombëtarë”.