Kadri Veseli ia faturon qeverisë Kurti dy çnjohje

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një publikimi në Facebook ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk është mospunën është duke e mbështjellë më zhurmë dhe arrogancë.

Sipas Veselit, Kurti për një muaj ka bërë veprime të cilat janë duke e dëmtuar Kosovën në politikën e brendshme dhe atë të jashtme.

Sipas tij, Kurti është duke prishur marrëdhëniet me aleatin e  Kosovës, Amerikën e në anën tjetër është duke shprehur vullnet të mirë me Serbinë.

Veseli ndër të tjera ka akuzuar qeverinë Kurti se është duke bërë shkarkime pa procedura ndërsa është duke bërë punësime politike.

Publikimi i plotë i Kadri Veselit:

Në tridhjetë ditë të qeverisë Kurti, zhurma dhe arroganca janë bërë mjet për ta arsyetuar mospunën.

Thuhen shumë fjalë vetëm për t’i ikur përgjegjësisë para qytetarëve. Por, qeveritë e politikanët maten me punë dhe jo fjalë.

Zvogëlohet numri i zëvendës ministrave, por, pakuptueshëm rritet numri i këshilltarëve politikë. Bëhen shkarkime pa procedura, ngarkohen me detyra publike familjarët dhe militantët.

Në politikën e brendshme papërgjegjësi kurse në të jashtmen rrezikshmëri.

Në vend që Kosovës ti ofrohet siguri dhe forcim në marrëdhëniet ndërkombëtare po ndodh e kundërta. Kërcënim dhe dobësim të marrëdhënieve me SHBA-të. Nervozizëm në marrëdhëniet me Shqipërinë e shprehje e vullnetit të mirë me Serbinë.

Një muaj qeverisje, dy çnjohje të pavarësisë së Kosovës. Kjo është pasqyra e këtij njëmujori qeverisës, zhurmë, rrezik dhe pasiguri. Kosova meriton më mirë.