Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ka vdekur akademik Ekrem Murtezai 

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës ka bërë të ditur se sot ka vdekur akademik Ekrem Murtezai.

“Me pikëllim të thellë njoftojmë se sot në moshën 89 vjeçare ndërroi jetë akademik Ekrem Murtezai”,  thuhet në njoftimin e ASHAK-ut.

ASHAK njofton se të shtunën në orën 11:00 në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës do të mbahet mbledhje komemorative me familjarët dhe anëtarët e Akademisë.

Ndërkaq ceremonia e varrimit do të bëhet duke respektuar masat parandaluese për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Ekrem Murtezai: Foto: Wikipedia

Akademik Ekrem Murtezai lindi në Gjakovë, ku kreu shkollën fillore dhe mori mësime në Medresenë e Madhe të Gjakovës. Në vitin 1948 u regjistrua në Shkollën Normale të Gjakovës, ndërsa në vitin 1951 u diplomua në Pejë. Studioi për filozofi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit.

Pas studimeve deri në fund të viteve ’60 punoi mësimdhënës në Shkollën Normale dhe në Gjimnazin e Gjakovës, ku ishte edhe drejtor. Nga viti 1969 e deri në vitin 1973 ishte në detyrën e këshilltarit të pavarur në Byronë Ekzekutive të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (LKJ) dhe njëkohësisht edhe shef i kabinetit të Fadil Hoxhës, i cili në atë kohë ishte anëtar i Byrosë Ekzekutive. Ndërkohë mbaroi studimet pasuniversitare për politikologji në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.

Në vitin 1973 u zgjodh ligjërues i lëndëve historia e filozofisë antike dhe mesjetare dhe filozofisë marksiste në katedrën filozofi-sociologji në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës (UP), ku më 1977 mbrojti edhe tezën e disertacionit të doktoratës me titull “Lenini për logjikën dialektike”. Ishte profesor i rregullt i lëndëve të lartpërmendura gjatë viteve 1983-1991, por edhe i disa lëndëve të tjera filozofike: estetikë, logjikë, filozofi klasike gjermane, filozofi bashkëkohore etj.

Për një kohë ligjëroi edhe metodologjinë dhe teknikat e kërkimeve shkencore në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Gjatë viteve 1973-1981 ishte drejtor i Qendrës Krahinore të Arsimit Marksist. Kreu edhe detyra të tjera në institucionet e arsimit.

Në vitin 1996, Murtezai u zgjodh anëtar korespodent i ASHAK-ut, kurse në vitin 2000 u zgjodh anëtar i rregullt.

Murtezai është autor i disa librave nga fusha e filozofisë, i artikujve shkencorë, i fjalorëve terminologjikë, i librave shkollorë: “Filozofia materialiste-dialektike” (1975), “Studime filozofike” (1975), “Stalinizmi dhe neostalinizmi” (1976), “Pikëpamja e Leninit për metodën dialektike” (1976), Marksizmi, socializmi dhe vetëqeverisja” (1981), “Disa terma aktualë politikë” (1986), “Fjalori i filozofisë” (1995), “Fjalor i feve” (2000), “Hyrje konceptuale në filozofi” (2015) etj.