Akademia e Shkencave dhe Arteve te Kosoves Foto: ASHAK

Akademia e Shkencave, thirrje për moratorium vetëpërmbajtjeje nga retorika nxitëse

Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) i ka ftuar subjektet politike dhe institucionet në një moratorium vetëpërmbajtjeje, së paku deri në fund të pandemisë së coronavirusit, duke u rezervuar me vullnet të mirë si nga retorika nxitëse opozitare, ashtu edhe nga vendimet institucionale, të cilat shkaktojnë përçarje dhe nxisin konflikt.

Kjo kryesi ka theksuar se me zhgënjim ka vrejtuar se qytetarët janë vendosur në një trysni të retorikave nxitëse.

“Duke qenë dëshmitarë se konfliktet politike në Kosovë nuk njohin as interesa shtetërore, as kombëtare, ndërsa tani së fundi nuk njohin as kufij etikë; duke qenë se pandemia e coronavirusit COVID 19 kërcënon me jetë njerëzish, teksa në mbarë botën manifestohet përbashkim dhe solidaritet; Kryesia e Akademisë me zhgënjim të madh vëren se qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, janë vendosur nën një trysni të paparë të retorikave nxitëse, ndërkohë që subjektet politike dhe militantët e tyre nuk duan të zmbrapsen nga veprimet me prapavijë konflikti”, thuhet mes tjerash në deklaratën e tyre.

Përfaqësues të intitucioneve të Kosovës, në kohë të pandemisë janë përfshirë në përplasje politike, sidomos lidhur me gjendjen në veri të vendit, në akuza për mosshtrirje të sovranitetit të shtetit në atë pjesë,  nga situata me CoVid-19.

Ndërkaq, edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë dhe ajo e Francës kanë bërë thirrje që të mos politizohet situata me coronavirusin.

Në anën tjetër, deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 145 raste me coronavirus, 23 të shëruar dhe 3 të vdekur.

Kjo është deklarata e plotë e Kryesisë së Akademisë së Shkncave dhe Arteve të Kosovës:

Kryesia e Akademisë fton për moratorium vetëpërmbajtjeje

Duke qenë dëshmitarë se konfliktet politike në Kosovë nuk njohin as interesa shtetërore, as kombëtare, ndërsa tani së fundi nuk njohin as kufij etikë; duke qenë se pandemia e coronavirusit COVID 19 kërcënon me jetë njerëzish, teksa në mbarë botën manifestohet përbashkim dhe solidaritet; Kryesia e Akademisë me zhgënjim të madh vëren se qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, janë vendosur nën një trysni të paparë të retorikave nxitëse, ndërkohë që subjektet politike dhe militantët e tyre nuk duan të zmbrapsen nga veprimet me prapavijë konflikti. Duke dashur të mos besojmë se kjo është pamja e vërtetë e Kosovës, porse ana e saj më e shëmtuar, të gjithë duam të bindemi se kjo që po ndodh aktualisht është vetëm një orë e ligë, të cilën do ta tejkalojmë së bashku, duke u kthyer te vlerat e vërteta të mirëkuptimit dhe humanizmit. 

Në emër të këtyre vlerave, mbi të cilat kemi besuar gjithnjë se është ndërtuar shoqëria jonë, Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës fton subjektet politike dhe institucionet e Republikës së Kosovës në një moratorium vetëpërmbajtjeje, së paku deri në fund të kësaj pandemie, duke u rezervuar me vullnet të mirë si nga retorika nxitëse opozitare, ashtu edhe nga vendimet institucionale, të cilat shkaktojnë përçarje dhe nxisin konflikt. Për shkak të situatës së krijuar, është në moralin e secilit që të tregojë gatishmëri për solidaritet dhe përbashkim, duke vendosur mbi interesin pushtetar interesin e përbashkët të të gjithë qytetarëve të Kosovës, për ta fituar betejën kundër pandemisë, duke refuzuar dhe duke anashkaluar të gjitha dallimet politike dhe etnike. Institucionet e Kosovës dhe njerëzit e vullnetit të mirë e kanë obligim që përkujdesjen dhe solidaritetin ta ushtrojë në çdo cep të Kosovës, përfshirë minoritetet dhe grupet e margjinalizuara të shoqërisë. Sepse Kosova është shtëpia e përbashkët e të gjithëve.

Për Kryesinë e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës

Akademik Mehmet Kraja, kryetar