Zoran Zaev - Foto: REL/gov.mk

Jep dorëheqje kryeministri i Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka dhënë dorëheqje nga posti i shefit të Qeverisë dhe nga kreu i partisë së tij, LSDM.

“Unë e marr përgjegjësinë për këtë zhvillim. Unë jap dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe i kryetarit të LSDM-së. I përgëzoj të gjithë qytetarët progresistë që kanë luftuar për një Maqedoni të Veriut të fortë”, ka deklaruar Zaev, raportojnë mediet në Maqedoni të Veriut.

“Përgëzoj kundërshtarët tanë për fitoren në këto zgjedhje. Unë marr përgjegjësinë për këtë humbje politike, përfshirë edhe rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Jap dorëheqjen si kryeministër dhe kryetar i LSDM-së”, tha Zaev, raporton Alsat-M.

“Do të qëndroj ende këtu, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, për të ndihmuar në riorganizimin e qeverisë së re me një shumicë progresive, e cila ekziston dhe mund të rritet. “Unë si person jam pjesë e LSDM-së dhe mbetem në vijën e parë si anëtar i LSDM-së”, ka shtuar Zaev.

Dorëheqja e Zaevit vjen pak kohë pas mbylljes së vendvotimeve në Maqedoni të Veriut ku është zhvilluar balotazhi në disa komuna, e në të cilat partia e tij ka dalë shumë keq me rezultate.

Partia rivale VMRO DPMNE ka shpallur fitoren në shumicën e komunave, ndërsa BDI në 7 komuna e Lëvizja BESA në Tetovë dhe Zhelinë.