Maqedoni e Veriut: BDI shpall fitoren në 7 komuna, Lëvizja Besa në Tetovë e Zhelinë

Partia opozitare, VMRO-DPMNE-ja shpalli fitoren në shumicën e komunave në balotazhin për zgjedhjet lokale që u mbajt të dielën (31 tetor) në Maqedoninë e Veriut. Sipas të dhënave nga shtabi i kësaj partie, Shkupi është fituar nga kandidatja e pavarur, Danella Arsovska, që kishte mbështetjen e VMRO DPMNE-së dhe të opozitës shqiptare.

VMRO DPMNE: Populli vendosi për një të ardhme të re

“Pjesëmarrja masive ishte përgjigja ndaj fushatës së zezë të qeverisë ditën e diel. Një ditë e trishtë për qeverinë jodemokratike të (kryeministrit, Zoran) Zaev, një ditë e fortë për vullnetin e popullit që vendosi për ndryshim dhe një të ardhme të re. Qeveria e Zoran Zaevit e tregoi fytyrën e saj jodemokratike në dritë të plotë. Nga njëra anë pushteti është në panik, në anën tjetër populli dhe vullneti i tij i lirë”, tha Marija Miteva nga VMRO-DPMNE-ja.

Kjo parti ka shpallur fitore edhe në 15 komuna tjera.

LSDM: Qytetarët votuan lirshëm

Lidhja Social-Demokrate (LSDM) nuk e ka komentuar ende rezultatin zgjedhor, por në paraqitjen e parë më tepër ka komentuar procesin zgjedhor.

“Përpjekjet e VMRO-DPMNE-së për t’i kompromentuar zgjedhjet me taktikat e tyre të regjimit dështuan”, tha në një konferencë për media zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

“Përpjekjet e VMRO-DPMNE-së për të kompromentuar zgjedhjet me taktikat e tyre të regjimit dështuan. I tillë ishte rasti me Gjorçe Petrov, Koçan dhe Makedonska Kamenica. Aty VMRO-DPMNE me taktikat e saj të regjimit tentoi të ndikojë në vullnetin e votuesve. Por, qytetarët votuan lirshëm dhe vullneti i tyre zgjedhor nuk u vu në dyshim”, tha Kuzevska.

BDI-ja shpalli fitoren në shtatë komuna

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) balotazhin për zgjedhjet lokale e ka vlerësuar si demokratik ndërsa publikoi fitoren e partisë së tij në shtatë komuna.

“Zgjedhjet janë zhvilluar sipas të gjitha standardeve demokratike. Ishte një proces me rëndësi për të ardhmen e komunave. BDI ka fituar Strugën, Kërçovën, Dollnenit, Çairit, Bogovinës, Tearcës dhe në Haraçinë”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Lëvizja BESA shpalli fitoren në Tetovë dhe Zhelinë

Lëvizja Besa ka shpallur fitoren në Tetovë, ku sipas Arjanit Hoxhës nga kjo parti, kryetar i ri i komunës do të jetë Bilall Kasami, i cili sipas tij ka fituar bindshëm kandidaten e BDI-së, Teuta Arifi.

“Lodhja e tetovarëve nga qeverisja katastrofale tetëvjeçare e BDI-së, ka bërë që fitorja jonë dhe oferta për një Tetovë ndryshe të jetë arsyeja e fitores tonë”, ka deklaruar Arjanit Hoxha nga Lëvizja BESA.

Kjo parti ka fituar edhe në komunën e Zhelinës, një komunë rurale kjo në rajonin e Tetovës.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ende nuk ka shpallur rezultatet pasi në disa komuna ende procesi ivotimit nuk ka përfunduar për shkak të vonesave teknike që pati zgjatë ditës.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski tha se deri në orën 18.30 në votime kanë dalë 48.48 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

“Vlerësoj se të dielën kishim proces zgjedhor demokratik, të qetë dhe disa probleme të vogla të izoluara që nuk ndikuan në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Pra, zgjedhjet konsideroj se ishin të suksesshme”, ka deklaruar kryetari i KSHZ-së, Alekandar Dashtevski./REL