Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

Katër muaj kohë për komunën që t’i ndajë 1 mijë euro 'HandiKOS'-it në Gjilan

Një mijë eurot që pritej se do të ndaheshin në gusht ose shtator të 2022-ës për organizatën joqeveritare “HandiKOS” në Gjilan nuk janë alokuar ende, e të njëjtat besohet se do të ndahen sot.

Të paktën, kështu ka thënë për KALLXO.com Kushtrim Zeqiri, Drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Gjilanit.

Vlera monetare e lartcekur ishte vendosur të ndahej për “HandiKOS” me qëllim të mbajtjes së një aktiviteti argëtues një ditor në natyrë me fëmijët me nevoja të veçanta, e vlera totale e kontratës është një mijë euro.

Dokumentet që ka siguruar KALLXO.com bëjnë me dije se kontrata në fjalë ishte nënshkruar më 18 gusht të 2022-ës në mes kryetarit Alban Hyseni dhe përfaqësuesit të OJQ-së, Fatmir Shurdhani.

KALLXO.com që nga fillimi i nëntorit është duke provuar të marr një përgjigje nga zyrtarët komunal të Gjilanit për të parë pse këto para nuk janë ndarë ende, mirëpo përgjigje ka marr vetëm sot.

Afër dhjetë kërkesa për qasje në informacion janë dërguar e madje është kontaktuar edhe me zyrtarët komunal për të parë se çfarë ka ndodhur me këtë çështje.

Ndërsa përgjigja që është marr sot tregon se mjetet janë në proces të alokimit dhe besohet se do të alokohen sot.

“Mjetet janë në proces të alokimit dhe besoj se do u alokohen sot, nuk ka pas asnjë tendencë për mos alokim të tyre, por thjeshtë për shkaqe planifikimi të mëhershëm të buxhetit nuk kemi mundur me herët”- ka qenë përgjigja e drejtorit të DKRS-së në Gjilan.

Mirëpo, shkaqet që u dhanë nga drejtori Zeqiri bëjnë që planet e “HandiKOS” të ndryshojnë.

Në një prononcim për KALLXO.com, përfaqësuesi i kësaj organizate, Shurdhani kishte treguar se plani ka qenë që aktiviteti për fëmijët dhe të rriturit me nevoja të veçanta të mbahet jashtë në hapësirë.

Përderisa kushtet atmosferike tashmë nuk e lejojnë që një gjë e tillë të ndodhë.

“Jo, jo tash më jo, ne në gusht e kemi mendu, eventualisht në shtator kur ka qenë koha e mirë. Tash edhe me u aloku mjetet në ambient fushor, aktivitet të jashtëm të hapur nuk ka më hapësirë për shkak të kushteve atmosferike” – shprehet Shurdhani.

Ai tregon se në planin e tyre ka qenë që aktiviteti të organizohej jashtë Gjilanit, në Kamenicë jashtë hapësirave të mbyllura.

“Ka pas aktivitete të lojës për fëmijë edhe ushqim tradicional me e përgatitë vetë fëmijët me aftësi të kufizuara dhe nënat e tyre. Dy tri lloje të ushqimeve, me i motivu në ushqim”- thotë Shurdhani.

Paratë që u tha se besohet që do të ndahen sot, Shurdhani tha se planifikojnë që do të shfrytëzohen prapë.

“Paratë planifikojmë me i shfrytëzu natyrisht, po ajo që ka qenë në aktivitet nuk mundet më”- tregon ai.

“HandiKOS” është një organizatë që merret me persona me nevoja të veçanta, ndërsa të dhënat zyrtare tregojnë se veprimtarinë e vet kjo OJQ e zhvillon në tërë territorin e Kosovës me 13 zyra lokale dhe 14 Qendra të Rehabilitimit të Bazuar në Bashkësi, përfshirë këtu edhe pjesën Veriore të Kosovës.

“HandiKOS” njoftohet se ka një databazë me 18 mijë anëtarëve me nevoja të veçanta dhe të kombinuara të moshave, gjinive, dhe etnive te ndryshme.