Ish-kryeministri i Shqipërisë: Në veriun e Kosovës po zhvillohet ‘skenari’ i Donbasit në Ukrainë

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko ka folur në lidhje situatën në veri të Kosovës, duke thënë se atje po zhvillohet “skenari” i Donbasit në Ukrainë.

Majko thotë se nuk duhet nënvlerësuar dikush që e mbivlerëson vetën, e që sipas tij, ai ëshë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Serbia ka filluar një “lodër” të vjetër në kushte të “reja” me Perëndimin. Në veriun e Kosovës po zhvillohet “skenari” i Donbasit në Ukrainë. Asnjëherë, nuk duhet nënvlerësuar dikush që mbivlerëson veten. Në këtë rast, ai quhet Aleksandër Vuçiq”- ka shkruar ish-kryeministri shqiptar, Majko.

Prej ditësh, në veri të vendit situata është tensionuar. Më 10 dhjetor pasdite në veri janë dëgjuar alarmet. Pas këtyre alarmeve ka pasur grumbullim të qytetarëve serbë dhe bllokim të rrugëve.

Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të bllokimit të rrugëve ka mbyllur për qarkullim pikën kufitare në Jarinjë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin pika të tjera kufitare për të hyrë në Kosovë ose për të dalë nga Kosova.

Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq.

Sipas Policisë, Pantiq po dyshohet se ka organizuar sulmin në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues të Kosovës.

Ndërkaq, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas konsultimit me partitë politike ka vendosur të shtyjë për më 23 prill 2023 zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë dhe kuvendet komunale të 4 komunave të veriut.

Vendimin e kanë përshëndetur vendet e QUINT-it.