Ish-Kryeprokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla | Foto: LSA

Ish-kreu i Prokurorisë, Adriatik Llalla dërgohet në gjyq për mosdeklarim pasurie

Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve për LLallën dhe dërgimin e tij përballë gjykatës për veprën penale të “mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurisë”.

 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të hënën përfundimin e hetimeve ndaj ish-kreut të Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla, i cili do të dërgohet në gjykatë për veprën penale të mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurisë.

Sipas njoftimit për shtyp të shpërndarë nga SPAK, Llalla akuzohet se e ka kryer këtë vepër penale tre herë, ndërkohë që aktet e procedimit penal me nr.65/2019 janë duke u dërguar në Gjykatën e Posaçme.

Akuza është ngritur sipas nenit 257/a, i cili parashikon dënime nga gjobë deri në 3 vjet burg.

Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi akuzën e ngritur nga SPAK, deri në publikimin e këtij shkrimi.

Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.

Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Në një njoftim për shtyp të atëhershëm, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se Llallës iu vendosën nën sekuestro një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë në periferi të Tiranës.

Megjithatë, akuzat u rudhën dhe SPAK njoftoi të hënën përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tri herë.

Një investigim i mëparshëm, BIRN tregoi se si Llalla transformoi një investim fillestar prej 16.3 milionë lekësh në prona me vlerë mbi 1 milionë euro përmes transaksioneve me një person të dënuar për vrasje, një biznesmen-fitues tenderi në Prokurori dhe një instruktor hipizmi i përdorur si sekser tokash.

Në shkurt 2018, ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson shpalli vendimin për ta vendosur Adriatik Llallën në listën e zyrtarëve të padëshiruar, që i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me familjen.

Ligji amerikan parashikon se, në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Së fundmi, Llalla ka punësuar dy lobistë nga Nju Jorku për të kundërshtuar vendimin e Departamentit të Shtetit që e shpalli “persona non-grata” në SHBA.