Ish-drejtori Ngadhnjim Kastrati: RTK-ja e di saktë për secilin borxh që i kanë operatorët ekonomikë

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet debati për raportin e Auditorit për Radiotelevizionin e Kosovës.

Një gjetje e Auditorit ka të bëjë me borxhet që i ka RTK-ja.

Auditori ka kërkuar konfirmime për borxhet te 10 furnitorë, mirëpo nga 4 prej tyre nuk ka marrë një konfirmim për borxhin që figuron në librat e RTK-së.

Lidhur me këtë në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur ish-drejtori i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati.

Kastrati ka thënë se operatorët ekonomikë i tregojnë RTK-së për borxhet që i kanë por nuk i kanë treguar Auditorit.

“RTK-së i tregojnë por s’i kanë treguar Auditorit. RTK-ja saktë e di për secilin. Ne kemi të figuruar dhe secili borxh është prej ditës të parë i deklaruar edhe në Komision për Buxhet, secili. E ka thirrë filan kompaninë Auditori dhe nuk iu ka përgjigjur Auditorit”, ka thënë Kastrati.

Ndërsa kryetari i bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Besnik Boletini ka thënë se RTK i ka borxh 1.6 milion euro, ndërsa borxhe që të tjerët i kanë RTK-së janë diku rreth 350 mijë euro.

“Borxhi ne që i kemi janë 1.6 milion euro, ndërsa borxhe që na kanë të tjerët janë diku rreth 350 mijë euro, sepse ditëve të fundit kam biseduar dhe u.d. drejtorin dhe do të bëhet një komision që do të fillojë me i mbledhë borxhet”, ka thënë Boletini.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se shumica e borxheve të RTK-së janë ndaj institucioneve publike.

“Shumica e borxheve të RTK-së janë ndaj institucioneve publike, ta zëmë nga ARKEP-i, ka detyrime ndaj KPM-së, ndaj PTK-së, kryesisht janë të sektorit publik. E rëndësishme është që RTK duhet ta ketë një komitet të auditimit dhe një zyrtar kryesor financiar dhe bordi e ka mandatin që mos me toleru RTK-në”, ka thënë Muja.

Pas 10 vjetësh, Zyra Kombëtare e Auditimit ka audituar pasqyrat financiare të RTK-së. Auditori ka dhënë opinion të kundërt për RTK-në dhe një nga arsyet që kanë ndikuar në opinionin e kundërt është edhe mungesa e disa konfirmimeve nga furnitorët, të cilat kapin vlerën mbi 380 mijë euro.

“Prej dhjetë (10) konfirmimeve të dërguara tek furnitorët, në katër (4) raste nuk kemi pranuar konfirmimet e saldove nga furnitorët në vlerë 389,322€. Prandaj, në mungesë të konfirmimeve, ne nuk ishim në gjendje të marrim siguri të arsyeshme nëse vlera bartëse e llogarive të pagueshmeve tregtare të RTK-së e prezantuar në pasqyra financiare ishte e saktë”, thuhet në raportin e auditimit për RTK-në të vitit 2021.

KËTU mund të gjeni raporti i auditimit financiar i RTK-së.