Besnik Boletini dhe Arta Berisha rizgjidhen anëtarë të Bordit të RTK-së

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Besnik Boletinin dhe Arta Berishen anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

Boletini mori 54 vota, ndërsa Berisha 51 vota, në seancën e legjislativit të mbajtur më 07.03.2024.

Partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë në votim.

Konkursi ka qenë i hapur për tre anëtarë të Bordit të RTK-së nga radhët e komunitetit shqiptar, ndërsa në Kuvend 61 deputetë me shumicë votuan për Arta Berishën dhe Besnik Boletinin.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci tha se për anëtarin e tretë, në mes Albinot Hamiti (6 vota) dhe Albinot Malokut ( 5 vota) do të votohet për herë të dytë në seancën tjetër pasi që ka mungesë të kuorumit.

Besnik Boletini ka qenë kryetar i Bordit të RTK-së, ndërsa Arta Berisha nënkryetare deri në dhjetor të 2023, kur iu përfundoi mandati.

Në seancën e Kuvendit  të Kosovës deputetët dështuan të zgjedhin një anëtar të bordit të RTK-së nga radhët e komunitetit serb, pasi që 59 fletëvotime ishin të pavleshme, andaj konkursi do të rishpallet.

Në garë për tri pozita të lira si anëtar i Bordit të RTK-së nga radhët e komunitetit shqiptar ishin, Albinot Hamiti, Albinot Maloku, Besa Maxhuni, Besnik Boletini, Arta Berisha dhe Dritan Shaipi.

Ndërsa Oliver Vujoviq (180 pikë ) dhe Nenad Janiçeviq (159 pikë) janë dy kandidatët të cilët janë poentuar më së shumti nga Komisioni ad-hoc për një pozitë të lirë si anëtar i bordit të RTK-së nga radhët e komunitetit serb.

Këta emra ishin më të poentuarit në procesin e intervistimit, i cili u zhvillua më 28.02.2024.

‘Ping-pongu’ pozitë-opozitë në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së