Isa Mustafa përkujton Nekibe Kelmendin në 9 vjetorin e vdekjes

Sot janë bërë nëntë vjet nga vdekja e ish-nënkryetares së LDK-së, Nekibe Kelmendi.

Në këtë përvjetor, atë e ka përkujtuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Mustafa e ka quajtur Kelmendin intelektuale e shquar, grua heroinë.

“Sot kujtojmë veprimtaren dhe intelektualen e shquar, gruan heroinë, zonjën e madhe të LDK-së dhe Kosovës, Nekibe Kelmendin, e cila gjithë angazhimin e saj jetësor is kushtoi shtet- formimit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Mustafa tutje e ka përshkruar Kelmendin si një grua e cila nuk u dorëzua në asnjë moment edhe pse në luftë i ka humbur bashkëshortin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e saj.

“Me personalitetin e saj të jashtëzakonshëm ajo arriti që dhimbjen e madhe që e kishte për formimin dhe konsolidimin e vendit, të cilit ia kushtoi gjithë jetën”, thuhet tutje në komunikatë.

Së bashku me sakrificën e Nekibe Kelmendit, kryetari i LDK-së, ka përkujtuar të gjitha gratë shqiptare të cilat nuk u ndalën së punuari për shtetndërtim.

“Bashkë me Nekibe Kelmendin përkujtojmë të gjitha gratë dhe nënat shqiptare që përkundër rezistencës, dhimbjes dhe sfidave që kishin në jetën e tyre nuk u ndalën së punuari për shtetndërtimin tonë”, thuhet në fund.