Flamuri i Iranit

Irani paralajmëron se përgjigja e tij do të jetë "më e fortë dhe më e vendosur" nëse Izraeli hakmerret pas sulmeve të fundit

Irani ka paralajmëruar se do të përgjigjet me më shumë forcë nëse Izraeli hakmerret ndaj sulmeve të kësaj fundjave, për të cilat Teherani tha se ishin vetëm një përgjigje ndaj një sulmi izraelit në fillim të këtij muaji, në kompleksin e ambasadës së tij në kryeqytetin e Sirisë Damask.

“Republika Islamike e Iranit nuk do të hezitojë të ushtrojë të drejtën e saj të natyrshme për vetëmbrojtje kur kërkohet”-  tha në një deklaratë ambasadori dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani.

“Nëse regjimi izraelit kryen përsëri ndonjë agresion ushtarak, përgjigja e Iranit do të jetë me siguri dhe vendosmëri më e fortë”- shtoi ambasadori Iravani.

CNN raporton se, duke përmendur vetëmbrojtjen kundër agresioneve të përsëritura ushtarake izraelite, Iravani tha se sulmet ishin veçanërisht si hakmarrje ndaj një sulmi izraelit më 1 prill, kundër atyre që Irani thotë se ishin objekte diplomatike në Damask.

Irani pretendon se sulmi shkeli ligjin ndërkombëtar dhe çoi në vdekjen e shtatë këshilltarëve ushtarakë iranianë, duke përfshirë komandantët kryesorë të Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane.

Deklarata kritikon gjithashtu Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për “dështimin në ruajtjen e paqes ndërkombëtare”, duke lejuar Izraelin të “shkelë” normat e vendosura ndërkombëtare dhe të “përshkallëzojë” tensionet rajonale.