IPK për incidentin në Skenderaj: Nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar

Të shtunën pas mesnatës, një inicident ka ndodhur ndaj dy zyrtarëve të policisë dhe disa personave e në mesin e të dyshuarve u raportua se është Nuredin Lushtaku, ish-nënkryetar i Komunës së Skenderajt, bashkë me disa familjarë të tij. Nga ky incident sipas raportit zyrtar të Policisë, dy zyrtarë policor janë plagosur, njëri me armë e tjetri me mjete të forta.

Nuredin Lushtaku për KALLXO.com ka mohuar të ketë përdorë armë ai, djemtë ose vëllëzërit e tij në drejtim të zyrtarëve policor, por tha se arma është përdorur nga njëri polic.

Inspektorati Policor i Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka deklaruar se deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar.

Si rrjedhojë thojnë se pas konsultimeve me prokurorin kujdestar, hetimet lidhur me këtë incident do ti vazhdojë Policia e Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të hetimeve janë njoftuar lidhur me këtë incident.Pas njoftimit të njëjtit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ka qenë edhe prokurori kujdestar. Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar ju njoftojmë së në këtë fazë  hetimet lidhur me këtë incident do ti vazhdojë Policia e Kosovës (pas që në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar)”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Policia e Kosovës ka deklaruar se dy zyrtarë policor janë sulmuar gjatë një pike të kontrollit në Skenderajt, të shtunën pas mesnatës.

Sipas policisë, njëri polic është i plagosur me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta.

Forcat e rendit njoftojnë se të dy zyrtarët policorë janë jashtë rrezikut për jetë, dhe se të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjeksorë.

Ndërkaq, lidhur me rastin dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë ndodhen në kërkim nga Policia.

“Deri në këtë fazë dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë ndodhen në kërkim nga Policia. Lidhur me rastin janë duke u ndermarr veprime operative dhe hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Incidenti me Policinë, deklarohet Nuredin Lushtaku