Institucionet përgjegjëse, koordinohen dhe premtojnë mbarëvajtje të zgjedhjeve

Kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka tha se organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve është një nga proceset më të mëdha dhe gjithëpërfshirëse për një vend dhe sipas saj Kosova tashmë ka traditë ta bëjë këtë.

Daka tha se përmbyllja me sukses e një operacioni të tillë, është i pamundur pa mbështetjen dhe bashkëpunimin ndër-institucional.

“Sipas Kushtetutës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka barrën kryesore për organizimin e proceseve zgjedhore në Republikën e Kosovës, por jemi të vetëdijshëm se bashkëpunimi ndër-institucional është i domosdoshëm për t’i shërbyer zgjedhjeve të lira dhe demokratike”, tha Daka.

Këto deklarata Daka i ka bërë gjatë takimit me institucionet e tjera Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Prokurorinë e Shtetit, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Komisionin e Pavarur të Medieve, OJQ-ve ku është diskutuar për zgjedhjet e parakohshme.

Daka shtoi se qëllimi i përbashkët është që procesi zgjedhor të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe të reagojnë kur cenohet integriteti i zgjedhjeve dhe e drejta e votës.

“Në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dua të garantoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces zgjedhor dhe sidomos qytetarët tanë, se KQZ-ja mbetet e përkushtuar për organizimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës, Ligjeve në fuqi dhe me standardet më të mira ndërkombëtare”, tha ajo.

Samedin Mehmeti, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës (PK), tha se për procesin zgjedhor ekziston memorandumi i bashkëpunimit mes institucioneve relevante.

“Nga ky memorandum kanë derivuar edhe procedurat standarde të operimit mes PK-së dhe Prokurorisë së Shtetit. Jemi në fazën fillestare përgatitore. Policia e Kosovës do të vazhdoj me përkushtim, me profesionalizëm të lartë në të gjitha fazat e operacionit policor. Bëjë apel që qytetarët ta ruajnë qetësinë gjatë kësaj periudhe”, tha ai.

Laura Pula, koordinatore nacionale e zgjedhjeve në zyrën e Prokurorit të Shtetit tha se kanë caktuar 88 prokuror dhe 40 zyrtar në mbrojtjen e votës së qytetarëve në ditën e zgjedhjeve.

“Unë si koordinatore nacionale e zgjedhjeve më duhet të ju informoj që prokuroria është angazhuar në mbrojtjen e të votës. Kemi caktuar 88 prokuror dhe 40 zyrtar në mbrojtjen e votës së qytetarëve në ditën e zgjedhjeve. Nga kjo tryezë dua të dal më një mesazh që prokurori së bashku me policinë do të arrestojnë apo ndalojnë të gjithë zyrtarët që në çfarë do mënyrë ndikojnë në keqpërdorimin e votës së qytetarit të Kosovës”, tha Pula.

Fatime Dermaku nga Këshilli Gjyqësor dhe koordinatore për zbatim të memorandumit tha se janë mobilizuar dhe se kanë lënë 30 gjyqtar kujdestar që do t’u përgjigjen kërkesave të prokurorisë

“Tridhjetë gjyqtar në nivel vendi do jenë kujdestar dhe do i përgjigjen kërkesave të prokurorisë. Në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë 8 gjyqtar, një vjen nga departamenti special. Nga departamenti i krimeve të rënda janë caktuar 2 gjyqtar”, shtoi Dermaku.

Edhe Shukri Sylejmani, kryesues i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) tha se stafi i sekretariatit dhe anëtarët, janë të gatshëm për shqyrtime.

“Të gjithë anëtarët e PZAP-it dhe stafi i sekretariat janë të gatshëm për shqyrtime të ankesave dhe apeleve që janë në këto zgjedhje. PZAP-i punon 7 ditë të javës deri në orën 18:00. Zotohemi se do t’i përmbushim të gjitha obligimet që janë në memorandum”, tha ai.

Në kuadër të bashkëpunimin me këto institucione PZAP-ja, ka caktuar Mulë Deskun si person kontaktues me këto institucione.