Zana Plakiq - Foto: KALLXO.com
Inspektorja tregon për shifrat e gjobave për shkeljen e Ligjit për pirje të duhanit në hapësira të mbyllura
Në emisionin “Kallxo Përnime” është transmetuar reportazhi për mosrespektimin e Ligjit për duhanin në vende të mbyllura dhe lokale.
Reportazhi është realizuar nga gazetarët e KALLXO.com dhe të GracanicaOnline.
Në këtë reportazh, inspektorja e Tregut në Graçanicë, Zana Plakiq, ka folur për shumën që mund të arrijnë dënimet për mosrespektimin e këtij Ligji.
“Gjobat për persona fizikë arrijnë në qindra euro, ndërsa për biznese shkojnë mbi një mijë euro”, ka thënë ajo, teksa ka përmendur se gjobat për rastet individuale dallojnë nga situatat.
“Nuk do të flas për raste individuale sepse varet nga situata në situatë, por pa dyshim janë të mëdha dhe asnjë person fizik i ri nuk ka mundësi të paguajë një gjobë të tillë në vlerë prej qindra euro”, ka thënë Plakiq.
E pyetur për respektimin e këtij Ligji në objektet e hotelerisë, Plakiq ka thënë se edhe pse ka raste të shkeljes, gjendja është e mirë.
“Kryesisht po, e dini që nuk mund të pretendojmë se nuk ka ndodhur, ose ka ndodhur diku në hapësirën e mbyllur por nuk kemi më aq shumë probleme sepse objektet e hotelerisë që tashmë kishin një përvojë shumë të keqe dhe që kanë paguar gjoba të mëdha kanë kujdes në lidhje me këtë. Shkojnë dhe vetë i paralajmërojnë klientët. Pra, në këtë mënyrë edhe ata vetë na e lehtësojnë punën dhe bashkëpunojmë me të gjithë”, ka thënë ajo.